Prokuroria Speciale do të merret me rastin e Dibran Hoxhës

Rastin e Dibran Hoxhës, i dyshuar për vrasjen e 31- vjeçarit nga Kukësi, do ta hetojë Prokuroria Speciale.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prizrenit, Fitore Mehmeti- Sejrani.

“Referuar kërkesës tuaj, Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se rasti në fjalë tashmë ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK). Andaj, për informacione tjera lidhur me rastin, ju lutem drejtohuni tek kjo prokurori”- thuhet në përgjigje.

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City”, ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur.

Dibran Hoxha dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Të dyshuarit e tjerë, shokët e Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Kjo është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D. H. me armë zjarri.

Në momentin që shtetasit V. C., R. Sh. dhe A. B., po largoheshin me automjetin e tyre të markes Audi, dyshohet se shtetasi D. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre” – ka deklaruar kryeprokurori Shala.

Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

Dibran Hoxha, emri më i përfolur i këtij fillim viti në Kosovë, rezulton se nuk e ka përjetuar asnjëherë forcën e ligjit.

Dosja kriminale e Dibran Hoxhës përmban 16 dënime të plotfuqishme.

Ndonëse ishte arrestuar, akuzuar dhe dënuar për dhjetëra krime, parapë se prapë Hoxha në burg nuk u dërgua kurrë.

Sipas të dhënave gjyqësore, Dibran Hoxha i njohur me nofkën “Kobra”, asnjëherë në jetën e tij nuk u dënua me burgim efektiv nga Gjykata e Prizrenit.

KALLXO.com ka raportuar se përpos armës së krimit e cila është zhdukur dhe ende nuk është gjetur, nga lokali i natës “Kobra City” janë zhdukur edhe kamerat e sigurisë.

Ditë më parë nga Policia janë kryer disa bastisje në Prizren.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë ndërsa e njëjta ende nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com për këtë rast i gjeni në këtë LINK.