Kurteshi s'paraqitet në Gjykatë, dështon seanca për rastin ku ai akuzohet për sulm ndaj zyrtarit në KQZ
Prokurori, gjykatësi dhe Sami Kurteshi si i akuzuar për sulm ndaj një personi në KQZ, në seancën e mbajtur më 23.04.2024 ishin pajtuar që 29 prilli i këtij viti, të caktohet si datë në të cilën do të jepeshin fjalët përfundimtare lidhur me këtë rast.
Gjashtë ditë më vonë, Kurteshi nuk u pa fare në Gjykatoren e Prishtinës. Gjyqtari Sabit Sadikaj konstatoi mungesën e të akuzuarit dhe njoftoj se nuk ka marrë kurrfarë paralajmërimi për këtë gjë.
Por, ai paralajmëroj se në rast se nuk merr arsyetim brenda pesë ditësh për mungesën e sotme të Kurteshit, në seancën e ardhshme i akuzuari do të sillet me detyrim.
“Ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, andaj nuk janë plotësuar kushtet për vazhdimin e seancës së shqyrtimit gjyqësor … Seanca e sotme nuk mbahet dhe e njëjta shtyhet për datën 17 maj në ora 13:30. Nëse brenda pesë ditëve i pandehuri nuk e arsyeton mungesën, ndaj tij, për seancën e radhës- 17 maj, Gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.”- tha Sadikaj.
KALLXO.com ka kontaktuar të akuzuarin Sami Kuteshi për të marrë vesh se pse ka munguar në Gjykatë. Nga biseda telefonike Kurteshi doli të mos ketë pasur dijeni se sot ka qenë e paraparë seanca ku do bëhej elaborimi i fjalëve përfundimtare.
“Jo, sot s’ka qenë e paraparë me u mbajt seanca … Na kemi mbet me e dorëzu fjalën përfundimtare dhe unë e kam dorëzu të premten … Unë nuk e kom kuptu që ne duhet me qenë aty në fjalë përfundimtare deri të hënën në ora 9:00”, ka deklaruar Kurteshi për Kallxo.com.
Në mungesë të tij, seanca e sotme më 29.04.2024 ku parashihej të jepeshin fjalët përfundimtare, ka dështuar të mbahet dhe e njëjta u caktua të mbahet më 17 maj të vitit 2024.
Në seancën e 23.04.2024, i akuzuari kishte dhënë mbrojtën lidhur me pretendimet e prokurorisë. Kurteshi akuzohet se në gushtin e vitit 2021 kishte sulmuar një person brenda zyrave të KQZ-së, me arsyen se i njëjti nuk kishte bartur maskë anti-Covid.
Për këtë akuzë Kurteshi në seancën e fundit kishte deklaruar se e kishte larguar Adnon Berishën nga ambienti ku ishte duke qëndruar, pasi sipas tij, ishte pa maskë në kohë pandemie.
“E kam hapë derën e zyrës time, e kam lënë çantën, e kam lënë në zyrën time edhe kam shku e kam shty nga mbrapa të dëmtuarin. E kam shty nga mbrapa, e kam afru deri te dera, nuk ka rezistuar, as një fjalë nuk e ka fol“- kishte thënë Kurteshi në seancën e kaluar.
Për këtë rast, versionet e tyre në seancën e 23.04.2024 nëse ka pasur apo jo sulm brenda zyrave të KQZ-së, i kishin dhënë edhe Kastriot Mustafa dhe Shkëmb Krasniqi.
Që të dy kishin deklaruar se Kurteshi e kishte shtyrë tashmë të dëmtuarin pasi që nuk e kishte të vendosur maskën.
Aktakuza, e cila përfaqësohet nga prokurori Eset Rama, ishte ngritur më 20.12.2021. Rasti kishte filluar të procedohet me “ndërmjetësim” por që nuk kishte arritur që të përfundohet me procedurë alternative.
Lidhur me rastin, i cili sipas Prokurorisë ka ndodhur në gusht të vitit 2021, Kurteshi ishte deklaruar i pafajshëm.