Vrasja e 31 vjeçarit nga Kukësi, Gjykata ia vazhdon paraburgimin Dibran Hoxhës dhe pesë të dyshuarve të tjerë

Gjykata e Prizrenit ia ka vazhduar paraburgimin Dibran Hoxhës dhe pesë të dyshuarve të tjerë për rastin e vrasjes së 31-vjeçarit nga Kukësi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Prizrenit, Marcel Lekaj.

Lekaj ka thënë se paraburgimi mund të zgjasë deri më 3 mars 2023.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, ngase të pandehurit me qëndrim në liri mund të fshihen apo arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”- thuhet në përgjigjen e Gjykatës.

Gjykata më tej ka bërë të ditur se paraburgimi në këtë fazë ka qenë i domosdoshëm.

“Duke marrë parasysh mënyra dhe rrethanat nën të cilat dyshohet se janë kryer veprat, veçanërisht vepra penale e vrasjes së rëndë, duke marrë parasysh faktin se të dyshuarit janë të njohur për organet e drejtësisë, pasi që janë kryer të veprave penale të natyrës së ndryshme, Gjyqtarja e procedurës paraprake ka konsideruar se vazhdimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”- sqarohet në njoftim.

Në orët e para të 3 janarit, në lokalin “Kobra City”, ka ndodhur një incident gjatë të cilit ka pasur të shtëna me armë zjarri dhe si pasojë një i ri nga Kukësi ka mbetur i vdekur e një tjetër i plagosur.

Dibran Hoxha dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe manipulim me prova.

Të dyshuarit e tjerë, shokët e Hoxhës, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahu, po dyshohen për veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

Ndërsa, Roland Susuri është i dyshuari i shtatë i cili u arrestua dhe dërgua në paraburgim lidhur me rastin e vrasjes së 31-vjeçarit në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Susuri, që punonte kamerier në lokal, po dyshohet se ka fshehur provat duke zhdukur pamjet nga kamerat e sigurisë ditën që ka ndodhur vrasja.

Ai po ashtu dyshohet se ka fshehur edhe armën dhe telefonin e të dyshuarit kryesor për këtë vrasje, Dibran Hoxhës.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit Dibran Hoxha për vrasjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 janarit.

Në dosje të Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se Hoxha ka shtënë në drejtim të veturës, e cila ndodhej në parkingun e lokalit të tij “Kobra City”.

Kjo është konfirmuar edhe nga kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, i cili ka thënë se në momentin kur tre shtetasit e Shqipërisë po largoheshin me automjet, janë qëlluar nga D. H. me armë zjarri.

“Në momentin që shtetasit V. C., R. Sh. dhe A. B., po largoheshin me automjetin e tyre të markes Audi, dyshohet se shtetasi D. H., ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre” – ka deklaruar kryeprokurori Shala.

Shala ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti në lokalin “Kobra City” me disa shtetas të Shqipërisë, lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve.

KALLXO.com ka raportuar se përpos armës së krimit e cila është zhdukur dhe ende nuk është gjetur, nga lokali i natës “Kobra City” janë zhdukur edhe kamerat e sigurisë.

Ditë më parë nga Policia janë kryer disa bastisje në Prizren.

Një regjistrues i pamjeve të kamerave (DVR) është zbuluar gjatë operacionit të bastisjeve të ndërmarrë në lidhje me rastin e vrasjes në lokalin e natës “Kobra City” në Prizren.

Mes gjësendeve të konfiskuara janë edhe një granatë dore dhe disa fishekë të njërit prej të dyshuarve.

Ndërkaq, burime brenda grupit hetimor kanë thënë për KALLXO.com se në shtëpinë e Dibran Hoxhës është zbuluar një kasafortë e fshehur prapa kaminës së tij.

Sipas këtyre burimeve, kasaforta është zbuluar gjatë bastisjes së shtëpisë ndërsa e njëjta ende nuk është hapur pasi për hapjen e saj duhet të zhvillohen disa procedura, përfshirë marrjen e disa urdhëresave dhe ftesën e Njësisë kundër Eksplozivëve.

Raportime e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’I lexoni në këtë LINK.