Vendet e QUINT-it dhe Zyra e BE-së të shqetësuara nga vendimi për heqjen e licencës së "Klan Kosovës"

Ambasadat e vendeve të QUINT-it si dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) që konfirmon pezullimin e licencës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.

Në reagimin e përbashkët, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehin shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.

Sipas QUINT-it dhe Zyrës së BE-së, revokimi i licencës së çdo medie është një hap domëthënës që kërkon shqyrtim rigoroz.

“Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent  për zgjidhjen e situates” – thuhet tutje në reagim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend » – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.

Në një reagim të saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së ‘Klan Kosovës’.

Ndërsa, ministrja Rozeta Hajdari e ka mbrojtur vendimin e Ministrisë që e drejton ajo.

Rasti i ‘Klan Kosovës’, ministrja Hajdari mbron vendimin: Çdo biznes e ka obligim të respektojë Kushtetutën