Ministria refuzon ankesën e "Klan Kosovës" ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

“Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë” – thuhet tutje në njoftimin e Ministrisë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

https://kallxo.com/lajm/ministria-e-industrise-pezullon-certifikaten-e-klan-kosova-shpk/