ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Shtatë raste të dhunës në familje të raportuara për 24 orë

Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuara në 24 orë e fundit në Policinë e Kosovës.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës, dje më 30.04.2024 në 11:00h në Vushtrri është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Viktima sipas PK-së ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Gjakovë në orët e para të së martës, më 30.04.2024, në 01:00h.

Sipas raportit 24-orësh policor, është arrestuar një burrë, pasi që i njëjti dyshohet ka keqtrajtuar bashkëshorten e tij. Policia tha se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i tretë është thënë se ka ndodhur në Malishevë më 29.04.2024 në 22:00h, ndërsa më 01.05.2024 në 00:10h nga njësia policore është hasur viktima, e cila ka njoftuar se është larguar nga shtëpia për shkak të dhunës së ushtruar nga burri i saj.

Policia tha se pasi që viktima kishte lëndime është dërguar te mjeku i QKMF dhe më pas me pëlqimin e saj është dërguar në strehimore.

Tutje u njoftua se lidhur me rastin, deri me tani nuk është arritur që të sigurohet prezenca e të dyshuarit.

Gjithmonë duke iu referuar raportit policor, rasti i katërt ka ndodhur në Gllogoc  më 30.04.2024 në 20:05h.

“Viktima ka njoftuar Policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje” – tha Policia.

Rasti i pestë ka ndodhur sipas Policisë në Lipjan më 30.04.2024 në 14:05, ku viktima ka njoftuar policinë se ajo dhe bashkëshorti i saj janë sulmuar fizikisht nga vjehërri dhe kunati i saj.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa njëri nga të dyshuarit, vjehërri, është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rasti i gjashtë ka ndodhur në Prishtinë më 30.04.2024 në 11:25h, ku është thënë se viktima ka njoftuar Policinë se vazhdimisht është duke pasur dhunë psikike nga vajza e saj.

“E dyshuara është sjellë në polici ku ka refuzuar të deklarohet. E njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në Klinikën e Psikiatrisë. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt” – tha PK.

Ndërsa rasti i fundit i raportuar ka ndodhur në Prishtinë  më 30.04.2024 në 10:30h.

Policia tha se viktima ka raportuar se para një muaji, pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj dhe se lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

Për këtë rast Policia tha se nuk raportohet për të arrestuar.