Mbledhja e datës 15.04.2024, Foto KALLXO.com

Gjobiten Radio Klan Kosova në Prishtinë dhe ajo në Deçan, anëtarja e KPM-së kërkon kallëzim penal

Komisioni i Pavarur për Media ka shqiptuar gjobë ndaj Radio Klan Kosovës asaj në Prishtinë dhe në Deçan për shkak se është konstatuar se kanë bërë ndryshim të pronësisë pa miratim të KPM-së.

Për këtë, Zyra Ekzekutive e KPM-së ka rekomanduar  që të shqiptojë gjobë prej 1 mijë eurosh për secilën radio si sanksionim dhe u miratua nga Komisioni.

“Një televizion dhe dy radio është  situata e njëjtë, Radio Klan Kosova Prishtinë dhe Deçan. Në të dy rastet kemi konstatimet sikur te televizioni se ka ndodhur ndryshim i pronësisë pa miratim. Është një standard që po e aplikojmë në disa mbledhje, aty ku vërejmë se të licencuarit bëjnë ndryshim, të sanksionohen për të sensibilizuar të licencuarit” – tha kryetari Jeton Mehmeti në mbledhjen e sotme, 15.04.2024.

Për këtë ndryshim të pronësisë, anëtarja e KPM-së Luljeta Aliu ka kërkuar të ushtrohet kallëzim penal, si dhe të merret një jurist i pavarur që të kryejë konsultime si të veprohet lidhur me këtë çështje.

“Qëndrimi im është që duhet të ndërmarrim edhe hapa të tjerë. Klan Kosova është bërë me mashtrim ndaj Komisionit. Gjithsesi ne mund ta pranojmë me një gjobë, kallëzimi penal duhet të shkojë, besoj shumë që ju si anëtarë do të konsultoheni me njerëz të fushës, të cilët do të ju sqarojnë se është një veprim i domosdoshëm, si në rastin e Klan Kosovës ashtu edhe Art Motion. Ndryshimet në pronësi të cilat i kemi marrë nga ARBK kanë qenë fakte të reja për Komisionin. Të gjitha argumentet e tjera që mundohen ta arsyetojnë këtë çështje janë të dyshimta. Nuk ka jurist që nuk e di që ky është mashtrim. Besoj në ndërgjegjen e juaj” – tha Aliu.

Ajo shtoi se edhe Njësiti për Inteligjencë Financiare mund të trajtojë këtë çështje.

Përveç këtyre dy radiove edhe Radio Plus, Radio Sharri, Radio Urban FM-Prishtinë dhe Radio Urban FM-Prizren janë gjobitur me nga 1 mijë euro për ndryshim të pronësisë pa miratim nga KPM-ja.

Radiot detyrohen ta paguajnë këtë gjobë në afat prej 30 ditësh, si dhe të dorëzojnë dokumentet e parapara ligjore në KPM.

Përveç radiove, edhe Televizioni Klan Kosova kishte ndryshuar pronësinë pa miratimin e KPM-së, dhe për këtë KPM, më 21.03.2024 i kishte shqiptuar gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh.

Kundër këtij vendimi kishte qenë anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, e cila kishte theksuar se duhet një dënim më i madh.

“Kemi marrë dokumentacione nga ARBK që ka pasur ndërrim të pronësisë disa herë dhe nuk pajtohem me gjobën sepse po ia falim, po i mbyllim sytë. Sipas tabelës që e patëm kërkuar janë 5 ndryshime të pronësisë. Duhet të ketë sqarime në këtë pjesë dhe si është e mundur që KPM i mbyll sytë dhe e lejon me mashtru”- kishte thënë Aliu.

https://kallxo.com/lajm/kpm-gjobiti-me-5-mije-euro-klan-kosoven/

www.kallxo.com