Kurti në takim me nënkryetaret e komunave të veriut. Foto: Albin Kurti/Facebook

Kurti takohet me nënkryetaret e komunave të veriut, flasin për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar edhe sot me nënkryetaret e tri komunave të veriut të Kosovës.

Ai ka mbajtur një takim pune me nënkryetaren e Mitrovicës së Veriut, Katarina Adanciq, nënkryetaren Zveçanit, Natasa Tomaniq dhe nënkryetaren e Leposaviqit, Marina Bogojeviq.

Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministri për komunitete, Nenad Rashiq dhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serb të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave” – tha Kurti.

Tutje kryeministri shtoi se të gjitha nënkryetaret i thanë se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.

Po ashtu, Kurti shtoi se të njëjtat i premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu.

Ky është bashkëbisedimi i tyre i dytë në pak se dy javë, e që sipas Kurtit kjo po bëhet me qëllim që të ketë komunikim të shpeshtë dhe të rregullt që shpreh interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte, dhe për adresuar sfida e vështirësi.

Kurti tha se iu është mirënjohës nënkryetareve Adanciq, Tomaniq dhe Bogojeviq për punën e tyre të përditshme dhe kurajën për t’i shërbyer publikes dhe qytetarëve.