Zhvillimet rreth votimit për shkarkimin e kryetarëve në veri, reagon QUINT-i
Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në lidhje me votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit që pritet të mbahet më 21.04.2024.
Kjo deklaratë vjen pas dorëheqjes së katër anëtarëve të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, pasi ishin emëruar më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si përfaqësues të Listës Serbe.
Vendet e QUINT-it kanë bërë thirrje që përfaqësuesit serbë të rishqyrtojnë vendimet e tyre.
Me këtë rast, ata kanë theksuar se bojkotimi i votimit të datës 21 prill, nuk sjellë asnjë përfitim për qytetarët dhe u kanë bërë thirrje Listës Serbe që ta shfrytëzojnë mundësinë e votimit.
“Mirëpo, duke bojkotuar votimin e datës 21 prill nuk do të sjellë këtë rezultat, dhe as që do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Listës Serbe dhe të tjerëve të cilët kanë bërë thirrje për tërheqje të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokraci efektive dhe përfaqësuese” – kanë thënë QUINT.
Lista Serbe, si partia më e madhe e serbëve të Kosovës, ka njoftuar më 07.04.2024 se nuk do të marrë pjesë në një referendum për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në deklaratën e tyre, QUINT-i thekson se në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë votimin për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës.
“Na vjen keq për deklaratat e Listës Serbe dhe aktorëve të tjerë politik serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim për tërheqjen e kryetarëve. Pjesëmarrja demokratike është kyçe për të siguruar që institucionet e zgjedhura janë përqafësuese e popullatës që ata shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike” – thuhet në deklaratën e QUINT dhe BE.
Po ashtu, ata shprehen se janë në dijeni që zgjedhjet e datës 23.04.2023 nuk ofruan një zgjidhje afatgjatë politike për këto komuna dhe që qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve.
Më tutje, në deklaratën QUINT – BE i bëhet thirrje edhe Qeverisë së Kosovës që të adresojë shqetësimet e qytetarëve gjatë procesit të votimit për shkarkimin e katër kryetarëve në komunat në veri të vendit.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi. U bëjmë thirrje të gjithë palëve të interesuara të veprojnë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët që kanë të drejt të votojnë në veri të Kosovës të kenë mundësi të marrin pjesë” – kanë përfunduar nga QUINT, BE.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar datën 21.04.2024 për votimin e largimit të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.
Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit në fillim të 2024, nënshkruajtën peticione për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka prezantuar të premten (08.03.2024) numrin e qytetarëve të cilat kanë nënshkruar këto peticione.
Në Komunën e Leposaviqit 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit që përbënë 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.
“Nga komuna e Leposaviqit, lista përmban 3 mijë e 30 nënshkrime, rezulton se 2 mijë e 905 nënshkrues janë qytetarë të Kosovës, këto nënshkrime përbëjnë 20 për qind për këtë komunë”- ka thënë Ahmetaj.
Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653.
Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi shkuan në zgjedhje më 23 prill 2023, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë që kundërshtonin vendimet Qeverisë së Kosovës.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës u bojkotuan nga serbët lokalë – nxitur nga Lista Serbe.
Bashkimi Europian më 28.06.2023, ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit.
Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuar rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.
Një Udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.