Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Parlamentin Evropian, Foto: Denis Sllovinja/ KALLXO.com

Presidentja Osmani: Të sqarohet çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së ‘Klan Kosovës’

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës duhet të sqarojnë çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së “Klan Kosovës”.

Deklarata e presidentes Osmani vjen pas refuzimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë lidhur me hedhjen poshtë të ankesës së “Klan Kosovës” ndaj shfuqizimit të pezullimit të certifikatës së biznesit.

Presidentja Osmani ka thënë se liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike.

Me tej ajo ka thënë se është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë.

“Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social. Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë. Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës”- ka deklaruar Presidentja Osmani.

Presidentja e Republikës pret që ky sqarim të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.