Rasti i ‘Klan Kosovës’, ministrja Hajdari mbron vendimin: Çdo biznes e ka obligim të respektojë Kushtetutën

Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka reaguar pas vendimit lidhur me hedhjen poshtë të ankesës së “Klan Kosovës” për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja Hajdari ka thënë se çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Ajo ka thënë se Ministria që ajo drejton është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim.

“Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht”- ka thënë ministrja Hajdari në Facebook.

Ajo ka thënë se sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit të “Klan Kosova” Sh.P.K. ka përfunduar.

“I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh”- ka shkruar ajo në Facebook.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka bërë të ditur se ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Përmes një njoftimi MINT ka thënë se këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.