Aleksandar Vuçiq
DASH i zhgënjyer me propozimet për qeverinë e re të Serbisë, Vuçiq thotë se atë "e zgjedhin qytetarët"
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 1 maj se nuk ishte i lumtur me reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit lidhur me propozimet që Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq, që janë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të jenë në Qeverinë e re të Serbisë.
“Shpresoj që do të kemi marrëdhënie të mira me partnerët tanë amerikanë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kemi marrëdhënie të mira. Nuk jam i kënaqur me reagimin e tyre, por Qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët e Serbisë”, tha Vuçiq.
Më 1 mj është caktuar të mbahet seanca e Kuvendit të Serbisë, ku do të diskutohet për zgjedhjen e Qeverisë së re të Serbisë. Ministër pa portofol është propozuar Nenad Popoviq, ndërsa për zëvendëskryeministër kandidat është Aleksandar Vulin.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se SHBA-ja është “e zhgënjyer” nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.
Ata po ashtu kanë deklaruar se SHBA-ja nuk luan asnjë rol në vendimet e personelit të Qeverisë së Serbisë.
“Kjo do të thotë që kur vendosin sanksione ndaj dikujt, ne duhet të përulim kokën me përulësi dhe të themi – faleminderit që na informuat kush nuk duhet të jetë asgjë”, tha Vuçiq.
Nenad Popoviq është i sanksionuar nga SHBA-ja që nga nëntori i vitit 2023, ndërsa sanksionet ndaj Vulinit u vendosën në korrik të të njëjtit vit. Të dy janë në “listën e zezë”, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tyre me Kremlinin.
“Dëgjova edhe nga ana tjetër se ne kemi [në Qeveri] shumë eurofanatikë dhe që janë pro amerikanëve, por ata të tjerët ishin aq të sjellshëm sa të mos flisnin publikisht për këtë. Është e rëndësishme që Qeveria është serbe dhe që do të zbatojë interesat e Republikës së Serbisë”, shtoi Vuçiqi.
Siç njoftoi Millosh Vuçeviq, kreu i Partisë Progresive Serbe (SNS), kabineti i ri do të ketë 25 ministri dhe pesë ministra pa portofol.
Ish-shefi i diplomacisë, Ivica Daçiq, do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratislav Gashiq, ish-ministër i Policisë.
Marko Gjuriq, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ish-drejtor i Zyrës për Kosovën, i bashkohet Qeverisë si Ministër i Punëve të Jashtme.
Në qeverinë e re do të jenë disa emra të rinj, si zyrtari i lartë i SNS-së, Darko Glishiq, dhe 13 ministra mbeten në krye të portofoleve të njëjta si në qeverinë e mëparshme.
Qeveria e re e Serbisë do të marrë detyrën pas zgjedhjeve të dhjetorit, në të cilat ata fituan mbi gjysmën e shumicës në asamblenë republikane.
Koalicionet e opozitës, Serbia kundër dhunës dhe NADA, akuzuan koalicionin e udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (SNS) për vjedhje zgjedhore.
Parregullsi të shumta gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, provinciale dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor në Serbi janë vënë në dukje nga misionet vëzhguese ndërkombëtare dhe vendore.
Autoritetet kanë mohuar vazhdimisht se ka pasur parregullsi më të rënda zgjedhore.
Në shkurt, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon nga autoritetet në Serbi të lehtësojnë një hetim ndërkombëtar për parregullsitë e supozuara, me referencë të veçantë për zgjedhjet për Asamblenë e Qytetit të Beogradit./Radio Evropa e Lirë