Foto: KALLXO.com
MINT për një ekspert të jashtëm pagoi mbi 900 euro në ditë
Mbi 900 euro për një ditë pune është paguar nga tre tenderë të ndryshëm, eksperti nga Gjermania Christian Timm i cili ka përfituar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari. Kjo pasi që kjo Ministri që nga viti 2021 deri në këtë vit (2024) ka hapur tre tenderë për angazhimin e ekspertëve ndërkombëtar për hartimin e strategjive të ndryshme e përfitues i të cilëve ka qenë gjermani Christian Timm.
Tenderi i parë ka qenë në vitin 2021 dhe kishte vlerën 44,910 euro. Për të ofruar ekspertizën e tij, Tim ishte kontraktuar që të punojë për 50 ditë pune.
Tenderi i dytë ka qenë në muajin gusht të vitit 2022 dhe kishte vlerën 19,660 euro. Për këtë tender, gjermani Christian Timm ishte kontraktuar që të punonte për 20 ditë pune.
Tenderi i tretë është nënshkruar këtë vit (2024) dhe ka vlerën 74,900 euro. Për të ofruar ekspertizën e tij, gjermani Christian Timm është kontraktuar që të punojë për 85 ditë pune.
Ky ekspert nga buxheti i shtetit që nga viti 2021 ka pranuar 139,810 euro për 155 ditë pune. Pra për një ditë pune ky ekspert u pagua 902 euro.
Ekipi i KALLXO.com ka dërguar pyetje në Ministri për të kërkuar sqarime për rolin dhe rëndësinë e këtij eksperti dhe se si është caktuar shuma e pagesës?
“Kalkulimet për angazhimin e ekspertëve, si ndërkombëtar dhe vendor, janë bërë bazuar në mostrën e dërguar nga ZKM, në vitin 2020, për planifikimin buxhetor për hartimin e dokumenteve, studimeve, strategjive, mbajtjen e punëtorive, etj., për Planin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së”- thuhet në përgjigjet e MINT-it dhënë për KALLXO.com.
Sipas MINT-it angazhimi i ekspertit ndërkombëtar, ka qenë për hartimin e strukturës së dokumentit strategjik, udhëheqjen e ekspertëve vendor dhe Grupeve tematike për secilën objektivë strategjike, si dhe trajnimin e grupit hartues për metodologjinë e hartimit të Politikës Industriale dhe në fund edhe finalizimin e Strategjisë dhe Planit të veprimit 2023-2025.
“Përveç kësaj, është trajnuar edhe grupi hartues nën udhëheqjen e ekspertit ndërkombëtar me ç’rast grupi ka kryer analizat e sektorëve dhe nën-sektorëve industrial në dimensionin ekonomik, social dhe mjedisor, analizën e instrumenteve përkrahëse, kalkulimit të treguesve ekonomik – makro dhe mikro, si dhe hartimin fillestar të analizave. Në fund të një periudhe 10 mujore, grupi hartues – stafi i departamentit është pajisur me Certifikatën për 10 module trajnimi me metodologjinë EQuIP (Rritja e Cilësisë së Politikës Industriale)’’- thuhet në përgjigjen e MINT.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të cilët kanë reaguar për angazhimin e këtyre ekspertëve.
“Problemi më i madh përveç shumave të mëdha që po jepen pa kontroll është se këtu po bëhet për punë të cilat supozohen të bëhen prej stafit të brendshëm, zyrtarëve të ministrisë sepse hartimi i strategjisë supozohet të bëhet prej drejtorëve të departamenteve dhe prej stafit të brendshëm të rregullt që paguhen për atë punë’’- thotë Ardit Dragusha nga organizata Demokraci Plus.
“Pra në qoftë se në vazhdimësi është i njëjti përfitues i tenderëve për angazhimin e ekspertëve menjëherë ngritet dyshimi për kushtet e kontratës, mund të jetë që janë duke e favorizuar të njëjtin ekspert, sepse i njëjti përfitues të jetë i shpërblyer nga e njëjta ministri për 3 strategji të ndryshme’’- shtoi Dragusha.
KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe ekspertit gjerman Christian Timm në lidhje me rëndësinë e këtyre strategjive por deri tani nuk ka marrur përgjigje.
Procedurat e tenderimit
Tenderi i parë “Angazhimi i një Eksperti ndërkombëtar dhe një Eksperti vendor për hartimin e Strategjisë për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetje të Biznesit (Politika Industriale)”, i fituar nga Christian Timm më 24.12.2021 kishte vlerën 44,910.00 euro. Për këtë tender vlera e parashikuar nga MINT ishte 45,700.00 euro. Në këtë tender kishte aplikuar vetëm Christian Timm, i cili doli fitues. Në dosje të tenderit afati kohor që ky ekspert do të punojë është 50 ditë pune.
Tenderi i dytë “Angazhimi i një Eksperti ndërkombëtar për hartimin e strategjisë për zhvillimin e Industrisë dhe përkrahje të biznesit, pjesa-2”, i cili ishte fituar po ashtu nga Christian Timm më datë 26.08.2022 kapte vlerën 19,660.00 euro. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 20 mijë euro. Në këtë tender kishte aplikuar përsëri vetëm Christian Timm, i cili doli fitues i kësaj kontrate. Në dosje të tenderit afati kohor që ky ekspert do të punonte ishte 20 ditë pune.
Tenderi i tretë “Angazhimi i një eksperti ndërkombëtar dhe një eksperti vendor për finalizimin e Strategjisë Kombëtare për Investime (Politika Kombëtare për Investime) dhe Planit të Veprimit me Kostim’’, i fituar nga Christian Timm më 14.12.2023 kap vlerën 74,900.00 euro. Vlera e parashikuar e kontratës ishte 100 mijë euro. Në dosje të tenderit afati kohor që ky ekspert do të punojë është 85 ditë pune.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala e kishte pyetur për angazhimin që ka bërë Ministria në lidhje me ekspertët e jashtëm sa i përket hartimit të strategjive.
Shala tha se sipas marrëveshjes brenda vetëm një dite një ekspert i ka rënë që të paguhet 1 mijë euro. “Në shpallje publike keni kërkuar ekspert të jashtëm dhe një të brendshëm. Për të cilët keni planifikuar në pjesën e parë 57 mijë e 700 euro për 50 ditë punë për një njeri, që i bije më shumë se një mijë euro dita. Për shpalljen e dytë të kësaj strategjie keni paraparë 20 ditë pune për një ekspert 20 mijë euro, që i bie 1 mijë euro dita”- pati deklaruar ai.
Ministrja Hajdari, tha se nuk e mban mend se kush është ai. “Nuk janë shumë 20 mijë euro për 20 ditë. Për një politik industriale për të shpalosur potencialin e Kosovës ne kemi pasur mundësi që të investojmë 100 mijë euro. Nuk e mbaj mend as emrin e eksperteve”- pati thënë ajo.