'The Telegraph' për situatën në veri të Kosovës: Ndër kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin europian

“Para se policia kosovare fillon patrullimin e saj në kufi me Serbinë, ata ngarkojnë veturën me armatim: AK-47 janë të lidhur në ulëset e pasme të veturës, psitoletat janë hedhur në pjesët ku vendosen këmbët në veturë dhe dronët, jelekët antiplumb mbushin bagazhin e ‘Land Rover.'”

Kështu e ka përshkruar në një artikull, gjendjen e sigurisë në kufirin me Serbinë në veri të Kosovës, media britanike “The Telegraph”. Këtë gjendje të patrullimit të Policisë së Kosovës dhe armatimit të saj në veri e kanë quajtur “protokoll standard në një nga kufijtë më të paqëndrueshëm në kontinentin europian”.

Në këtë artikull është ndarë edhe një bisedë në mes zëvendëskomandantit të Policisë në veri të Kosovës, Veton Elshani dhe ekipit të ” The Telegraph.”

“Kur njerëzit e pyesin Veton Elshanin, zëvendëskomandantin e Policisë në veri të Kosovës, si është situata, ai thjesht u tregon përgatitjet që merr për patrollën. “I shihni armët?” tha ai, para se të nxirrte Telegrafin jashtë tek kufiri, “Këto janë (armë) për t’i mbajtur policët. Situata nuk është e mirë”” – shkruan në artikullin e The Telegraph, ku flitet për situatën e sigurisë në kufirin verior Kosovë-Serbi.

Më tej, ata kanë shkruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lënë të kuptohet për një pushtim në Kosovë, pasi nacionalistët në Serbi e nxisin atë të veprojë për “t’i mbrojtur” serbët e detyruar të jetojnë nën sundimin kosovar.

Teksa kanë përmendur në artikull sulmin terrorist që ndodhi nga grupi i armatosur serb më 24.09.2023, në Banjskë të Zveçanit, Elshani i ka njoftuar se që nga ajo ditë ekipi i tij kryejnë patrulla të përditshme në regjionin kufitar të dominuar nga serbët, duke kërkuar rrugë ilegale në Serbi të llojit të përdorur nga personat e armatosur në sulmin e tyre.

Mëngjesin e datës 24.09.2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Tre pjesëtarë të grupit terrorist kanë mbetur po ashtu të vrarë.

Përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd dhe ishte ndaluar për 48 orë.

Më 06.12.2023, INTERPOOL kishte lëshuar fletëarrestim për Radoiçiq. 

“Ne i njohim këto rrugë më mirë se kushdo. Serbët nuk mund të bëjnë një rrugë që ne nuk mund ta gjejmë” – i ka thënë komandanti Elshan, ekipit të The Telegraph.

Sipas të dhënave të “The Telegraph”, së fundmi Policia e Kosovës ka identifikuar 65 rrugë ilegale me Serbinë, të cilat janë bllokuar me kanale të mëdha të prera prej betoni.

“Edhe 10 rrugë të tjera janë duke u mbajtur nën vëzhgim, kryesisht përmes dronëve” – thuhet në artikullin e medias britanike.

Rreth shoqërisë së presidentit Vuçiq me presidentin rus Vladimir Putin, e cila është e njohur, sipas tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti beson se është në interes të liderit rus për Serbinë që të pushtojë Kosovën, pasi kjo do të largonte vëmendjen nga lufta e tij në Ukrainë.

“Kjo është pishina nga ku ata [Rusia] do të rekrutojnë paraushtarakë të ardhshëm të Wagner-it për Ukrainën dhe Ballkanin” – ka thënë Kurti, thuhet në artikull.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24.02.2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Përgatiti: Arbrita Uka