Kryeministrin Albin Kurti në takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz | Foto: ZKM

Scholz i kërkon Kurtit hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me shefin e Qeverisë gjermane, Olaf Scholz.

Lidhur me këtë bisedë, Zyra për informim e Qeverisë gjermane ka njoftuar se kancelari ka theksuar mbështetjen e Qeverisë federale për integrimin europian të Kosovës dhe ka përkujtuar rëndësinë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

“Kancelari e ka përshëndetur zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me manastirin e Deçanit. Ai ka theksuar rëndësinë e masave konkrete drejt krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, gjithashtu në kontekstin e kërkesës për pranim të Kosovës në Këshillin e Europës” – thuhet në komunikatën e Zyrës për media dhe informim të Qeverisë federale gjermane.

Sipas njoftimit, kancelari Scholz dhe kryeministri Kurti janë pajtuar të vazhdojnë shkëmbimin e hapur dhe të përqendruar në rezultate si dhe të mbeten në kontakt.

Për bisedën Kurti – Scholz dhe Kurtit ka njoftuar edhe kryeministri i Kosovës.

Nga kjo bisedë, përveç se ka theksuar shpresën se Gjermania do të mbështesë aplikimin e Kosovës në KiE, Kurti tha se ka rikonfirmuar edhe angazhimin për zbatimin e marrëveshjes bazike me Serbinë.

“Në një telefonatë me kancelarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do të mbështesë aplikimin tonë në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike” – ka shkruar kryeministri Kurti në “X” më 29.04.2024.

Më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës në maj të vitit 2022.

Më 27.03.2024, Kosova bëri hapin e parë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, e cila tha se shteti ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Europës.

Më pas, më 16.04.2024, raporti dhe rekomandimi i Bakoyannis u mbështet edhe nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Europës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Ministrat pritet të takohen kah mesi i muajit maj në Strasburg të Francës.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, e themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

 

Kurti flet me kancelarin Scholz, shpreson në mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE