Albin Kurti, kryeministër i Kosovës dhe Olaf Scholz, kancelari i Gjermanisë, Foto: Twitter Arkiv

Kurti flet me kancelarin Scholz, shpreson në mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Kryeministri, Albin Kurti, ka njoftuar se ka zhvilluar një telefonatë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, lidhur me “shpresën se Gjermania do të mbështesë aplikimin e Kosovës në Këshillin e Europës”.

Nga kjo bisedë, Kurti tha se ka rikonfirmuar edhe angazhimin për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.

“Në një telefonatë me kancelarin Scholz i shpreha mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Kosovën dhe nënvizova shpresën se Gjermania do të mbështesë aplikimin tonë në Këshillin e Evropës në përputhje me rekomandimet e PACE. Gjithashtu rikonfirmova angazhimin tonë për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë” – ka shkruar kryeministri Kurti në “X” më 29.04.2024.

Më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë që merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022.

Më 27.03.2024, Kosova bëri hapin e parë pasi Komiteti për Politikë dhe Demokraci miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyyanis, e cila tha se shteti ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota në Këshillin e Evropës.

Më pas, më 16.04.2024, raporti dhe rekomandimi i Bakoyyanis u mbështet edhe nga dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Ministrat pritet të takohen kah mesin e muajit maj në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, e themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.