Millan Radoiçiq

Sulmi terrorist në Banjskë, INTERPOL lëshon fletarrestim për Millan Radoiçiqin

Organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin.

Burime të KALLXO.com thonë se fletarrestimi ka të bëjë me ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, në veri të Kosovës.

Vepra për të cilën dyshohet Radoiçiq është terrorizmi.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Aktualisht, Millan Radoiçiq gjendet në Serbi.