Pamje nga ekspozita ‘Ukraina: Një krim lufte’: Foto: KALLXO.com.

Hapet ekspozita “Ukraina: Një krim lufte”

Ekspozita “Ukraina: Një krim lufte”, e  krijuar nga shoqata “FotoEvidence” dhe e mbështetur nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Ballkanin Perëndimor, është hapur sonte, më 29.04.2024, në qendrën “Barabar” në “Hotel Grand” në Prishtinë.

Ekspozita prezanton nëpërmjet fotografive krimet e kryera në luftën në Ukrainë nga forcat ruse.

Ekspozita u tha se ka një domethënie të veçantë, pasi tregon për një paralele që ekziston në mes të luftës në Ukrainë dhe luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999.

Kryeministri Albin Kurti tha gjatë fjalës së tij se kjo ekspozitë tregon se e vërteta për luftën në Ukrainë mund të tregohet edhe përmes artit.

“Krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme,  janë kryer në Kosovën e viteve ’90, dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej popujve tjerë. Rëndësia e kësaj ekspozite është se e vërteta mund të tregohet edhe përmes artit, në këtë rast arteve pamore”- tha kryeministri Kurti, duke treguar se Kosova është solidarizuar dhe e ka ndihmuar Ukrainën.

Kurse, kuratroja e ekspozitës, Svetlana Bachevanova, tha se në Kosovë ishte gjatë luftës si reportere dhe se fotografoi shqiptarë të vrarë nga paramilitarët serbë në një fshat të Kosovës. Fotografitë, sipas saj, ishin dërguar në Gjykatën e Hagës.

Sipas saj, ekspozita “Ukraina: Një krim lufte” rrëfen për të vërtetën e luftës në Ukrainë.

“Në këtë ekspozitë ju do të shihni diçka përtej lajmeve propagandistike ruse, fotografitë të krimeve që janë duke u kryer në Ukrainë”- tha ajo.

Brendan Hoffman, një prej autorëve të fotografive të ekspozitës, tha se fotot dëshmojë atë se çfarë po ndodh në Ukrainë, dhe se dëshiron Ukrainën ta shohë sikur tani Kosovën – një shtet të lirë dhe me një luftë të fituar.

“Kam shumë dëshirë që kjo luftë të përfundojë dhe Ukrainën ta shoh si një shtet të lirë”- tha ai.

Ndërsa, Andi Dobrushi, drejtor rajonal në Fondacionin për Shoqëri të Hapur, tha se hapja e kësaj ekspozite ka një rëndësi të veçantë.

“Arsyeja kryesore e kësaj mbështetjeje për hapjen e ekspozitës këtu është dokumentimi  i krimeve të luftës të cilat edhe janë duke iu përcjellë Gjykatës ndërkombëtare”- tha ai.

Bashkë me ekspozitën është prezantuar edhe libri “Ukraina: Një krim lufte” me fotografi dhe rrëfime për luftën në Ukrainë.

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina: Një krim lufte’: Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina: Një krim lufte’: Foto: KALLXO.com.

 

Pamje nga ekspozita ‘Ukraina: Një krim lufte’: Foto: KALLXO.com.

 

Libri ‘Ukraina: Një krim lufte’: Foto: KALLXO.com.

(Shënim: Titulli i këtij artikulli është edituar. Koha e editimit më 30.04.2024, në ora 00:06)