Foto: KALLXO.com

Prishtinë, Vedat Rexhepi kërkon ndihmën edhe të qytetarëve për vëllanë e zhdukur që dy javë

Bedri Rexhepi nga Prishtina tash e dy javë është raportuar si person i zhdukur në Policinë e Kosovës.

Edhe sot familja e Bedri Rexhepit nuk ka asnjë informacion rreth vendndodhjes së tij.

Vëllai i tij, Vedat Rexhepi për KALLXO.com ka treguar se vëllai i zhdukur ka dalë nga shtëpia më 8 prill dhe nuk është kthyer më.

“Vëllai është i zhdukur që nga data 8 prill, ka dalë nga shtëpia rreth orës 16:30, që nga ajo ditë nuk kemi ende asnjë informacion se ku ndodhet”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka bërë të ditur se një ditë pas zhdukjes së vëllait të tij, familja është njoftuar nga Policia se ka gjetur veturën e tij.

“Të nesërmen jemi njoftuar nga Policia se është gjetur vetura e tij në një arë në fshatin Janjevë të Lipjanit. Vëllai ka një biznes “Rent a Car”, dhe posedon vetura”, ka thënë Rexhepi.

Ai po ashtu ka konfirmuar se vëllai i tij ditën kur ka dalë nga shtëpia dhe nuk është kthyer më, ka poseduar para me vete.

Në bazë të informacioneve nga familja, kur ai ka dalë nga shtëpia dyshohet se posedonte rreth 7 mijë euro, por që nuk dihet shuma e saktë.

Në lidhje me këtë rast, Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar për KALLXO.com se një person është ndaluar si i dyshuar për rrëmbimin e Bedri Rexhepit.

“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se me aktvendim te prokurorit është ndaluar një person i dyshuar dhe ndaj të njëjtit është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në drejtim të veprës penale – rrëmbimi. Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj Prokurorie  në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke i zhvilluar hetimet në drejtim të veprës penale së lartcekur”, ka thënë për KALLXO.com, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.

Ndërsa, vëllai i tij ka bërë të ditur se i arrestuari ka qenë klient në biznesin e vëllait të tij.

“Njëri nga klientët e vëllait në biznes ka qenë edhe i dyshuari i cili është arrestuar për rastin e vëllait, ata kanë pasur komunikim mes vete, janë njohur mes vete, por që ne si familje nuk kemi ndonjë person të dyshuar në lidhje me këtë rast”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka lutur të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione rreth vendndodhjes së vëllait të tij të lajmërojnë Policinë ose familjarët në numrat kontaktues: 045596869, 048400052, ose 049727772.