Një i vdekur e 79 të lënduar në 130 aksidente gjatë muajit maj në rajonin e Ferizajt
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka njoftuar se në Rajonin e Ferizajt janë raportuar gjithsej 130 aksidente trafiku gjatë muajit maj të 2026-tës, një rënie kjo prej 15% krahasuar me periudhën e njëjtë të muajit maj vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në rajonin që përfshin komunat e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit nga 130 aksidentet e raportuara, njëri ka qenë me fatalitet, ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person.
Poashtu, siç njoftoi Policia, janë evidentuar 53 aksidente ku kanë mbetur të lënduar 79 persona, si dhe 76 aksidente janë regjistruar vetëm me dëme materiale.
Krahasuar me periudhën e tanishme, në muajin maj të vitit të kaluar ishin raportuar gjithsej 153 aksidente, prej të cilave 65 kanë qenë me lëndime trupore, në të cilat ishin lënduar 92 persona.
Ndërkohë që 88 aksidente ishin regjistruar vetëm më dëme materiale gjatë muajit maj të vitit 2025.
Drejtoria Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se ka shqiptuar gjithsej 6 mijë e 322 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë muajit Maj 2026, ose 4% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ku në muajin maj të vitit 2025 ishin shqiptuar 6 mijë e 79 gjoba.
Tutje, Policia sqaroi se për shkeljet e rënda në trafik, ka hequr 118 patentë shoferë ndaj drejtuesve të automjeteve.
Po ashtu, organet e rendit theksojnë se do të vazhdojnë me aktivitete të shtuara me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe ka apeluar te shoferët që të jenë të kujdesshëm, të respektojnë shenjat dhe rregullat e komunikacionit.