Plagosja në Prishtinë, Prokuroria fton qytetarët që kanë informata për rastin të bashkëpunojnë

Një person mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë që ndodhën paraditen e djeshme, më 04.03.2024.

Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ftoi qytetarët të cilët kanë informata relevante rreth rastit të bashkëpunojnë me autoritetet ligjzbatuese, duke iu drejtuar Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Tutje Prokuroria tha se menjëherë pas marrjes së informatave për plagosjen e një personi në Prishtinë, kanë autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e veprimeve të nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

“Sigurojmë opinionin publik se në koordinim me hetuesit policorë kemi ndërmarr të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit” – u tha në njoftim.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Bedri Shala’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”- ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”- theksoi ajo.

Të hënën, më 04.03.2024 në Prishtinë pati edhe të shtëna tjera më armë zjarri, duke e quar kështu numrin në tre të rasteve që ndodhën brenda më pak se 24-orëve.

Policia e Kosovës në raportin ditor ka dhënë detaje për gjuajtjet me armë zjarri që ndodhën në tri raste të ndara.

Fillimisht rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala”, një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që janë shkrepur në drejtim të tij nga persona të panjohur.

Sipas Policisë, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një fishekë dhe disa gëzhoja. Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse rasti tjetër ka ndodhur rreth orës 21:42 po ashtu në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, ku një person ka raportuar se dy-tre persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim në një objekti ndërtimor, me ç’rast një predhë kishte mbetur në korridorin e këtij objekti.

Policia ka njoftuar se njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e konfiskuar një fishekë dhe një gëzhojë cal-7.6mm.

Të lënduar nga ky rast nuk ka pasur, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Rasti i tretë po ashtu është raportuar rreth orës 21:42, ku në rrugën “Shaip Spahiu” në Prishtinë një person ka raportuar se deri sa ka qenë me veturë, tre persona të panjohur nga vetura e tyre pa targa, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia jep detaje për gjuajtjet me armë që ndodhën në Prishtinë