Foto: KALLXO.com

Policia jep detaje për gjuajtjet me armë që ndodhën në Prishtinë

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për gjuajtjet me armë zjarri që ndodhën gjatë ditës së djeshme me 04.03.2024 në Prishtinë, në tri raste të ndara.

Fillimisht rreth orës 10:00 në rrugën “Bedri Shala”, një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që janë shkrepur në drejtim të tij nga persona të panjohur.

Sipas Policisë, viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një fishekë dhe disa gëzhoja. Rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Kurse rasti tjetër ka ndodhur rreth orës 21:42 po ashtu në rrugën “Bedri Shala” në Prishtinë, ku një person ka raportuar se dy-tre persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim në një objekti ndërtimor, me ç’rast një predhë kishte mbetur në korridorin e këtij objekti.

Policia ka njoftuar se njësitët policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë gjetur e konfiskuar një fishekë dhe një gëzhojë cal-7.6mm.

Të lënduar nga ky rast nuk ka pasur, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Rasti i tretë po ashtu është raportuar rreth orës 21:42, ku në rrugën “Shaip Spahiu” në Prishtinë një person ka raportuar se deri sa ka qenë me veturë, tre persona të panjohur nga vetura e tyre pa targa, kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

Sipas Policisë, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturë, nuk është raportuar për lëndime në njerëz.

Edhe ky rast vazhdon të hetohet.

KALLXO.com raportoi në lidhje me këto raste.