Të shtëna me armë në Prishtinë, dyshohet për një të lënduar

Një person dyshohet se është lënduar nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë, paraditen e së hënës – 04.03.2024.

Rastin e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 10:00, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën ‘Bedri Shala’ në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”- ka thënë ajo.

Sipas Ahmetit, bazuar në informacionet e para raportohet për një person të lënduar, i cili dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit.

“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”- theksoi ajo.