Partitë parlamentare pro shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, por jo përmes rrugës së njëjtë

Gatishmëria e partive politike për të shkuar në zgjedhje të parakohshme u rikonfirmua nga shefat e grupeve parlamentare të pozitës dhe opozitës, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të mbajtur më 29.03.2024.

Përderisa nga opozita thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm për këtë proces, nga partia në pushtet- LVV-ja, po kërkohet qartësi se çka është më e rëndësishme: shkuarja në zgjedhje apo shtyrja përpara e agjendës legjislative.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri i janë shmangur përgjigjes nëse pajtohen ose jo me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që zgjedhjet të mbahen më 9 qershor. Por, të dy thanë se janë për shkuarje në zgjedhje të parakohshme.

E shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se do të marrin hapa konkret për shkarkimin e Kuvendit në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje. Ai tha se partia e tij veçse e ka prezantuar Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër dhe si e tillë është më e gatshmja për këtë proces.

Deputeti, Besnik Tahiri tha se AAK absolutisht është për të shkuar në zgjedhje dhe se qeveria Kurti duhet shkarkuar.

“Aleanca e ka pozicionin më komod në këtë temë. Absolutisht ne jemi për me shku në zgjedhje sa më shpejtë që është e mundshme. Por, ne mendojmë që kjo qeveri duhet me u shkarku” – tha ai.

Tahiri shtoi se kanë qenë të parët që kanë propozuar inicimin e shkarkimit të qeverisë. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe ka vetëm një qëllim – fajësimin e opozitës për shkuarjen në zgjedhje.

Ndërkaq, deputeti Arben Gashi, i revoltuar nga mosvazhdimi i mandatit të Komisionit hetimor për rezervat shtetërore, nuk u tregua aq i gatshëm për të folur për këtë temë.

Megjithatë, edhe ai e dha një përgjigje.

“Sot tema që e kemi është shumë më problematike se tema për cilën ditë do të mbahen zgjedhjet parlamentare: a me 9 a me 8, pak rëndësi ka. Jemi në fazë zgjedhore, kurdo që dojnë të gatshëm jemi për zgjedhje” – tha ai.

Gashi shprehu mosbesimin e tij ndaj deklaratës së kryeministrit Kurti se do ta ndihmojnë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje.

“Këta nuk po e mbështesin funksionimin normal të një komisioni hetimor e ti po mendon që kanë me e mbështet shpërndarjen e Kuvendit që në potencialisht ka me i çu në burg nesër” – u përgjigj Gashi kur u pyet lidhur me këtë temë.

“Zgjedhjet do të jenë maksimalisht pas 10 muajve, jo kur ka qejf Albini, por kur ka nevojë Kosova dhe Kosova ka nevojë sa më shpejt” – shtoi ai.

Qartësi rreth këtyre qëndrimeve po kërkon shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëndosje (LVV), Mimoza Kusari – Lila. Sipas saj, ky është obligim i partive ndaj opinionit publik.

“Ka një muaj që intensivisht diskutohet për proces zgjedhor, për datën e zgjedhjeve por në të njëjtën kohë ka nisma të cilat janë çdo gjë pos nisma në përmbushje të agjendës legjislative” – tha ajo.

Ndonëse tha se kjo parti ka vullnet për t’u ballafaquar në zgjedhje, sipas saj nuk ka situatë të jashtëzakonshme që patjetër të shkohet në zgjedhje.

“Jemi në një situatë ku ne po bisedojmë si subjekte politike, ku mbledhjet e Kryesisë po mbahen të rregullta, ku seancat po thirren të rregullta. Por po mungon një vullnet politik i vogël sado pak që të shtyhet diçka përpara. Ne nuk po e kontestojmë kërkesën e tyre për të shkuar në zgjedhje” – u shpreh më tej deputetja.

Ajo kërkoi qartësi nëse është më e rëndësishme shkuarja në zgjedhje apo hetimi i vazhdueshëm i proceseve të ekzekutivit.

Kjo deklaratë vjen pas disa kërkesave të partive në opozitë për hetime parlamentare, njërën prej të cilave LVV e ka pamundësuar. Partia shumicë e ka kushtëzuar propozimin e emrave për anëtarë të komisionit hetimor për kontrata njëburimore, me arsyetimin se paraprakisht duan të binden nëse opozita kërkon me të vërtetë zgjedhje të parakohshme.

Por, këtë qasje kushtetuese nuk e ka mbështetur bashkëpartiaku i saj, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Duke folur për zgjedhjet, Konjufca tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar në mënyrë të veçantë për data.

Ai shtoi se ky është rast i rrallë kur të gjitha partitë janë të gatshme për zgjedhje, por megjithatë nuk shkojnë në zgjedhje.

“Me sa kam njohuri nuk ka ndodhë ndonjë takim i rëndësishëm për datën e zgjedhjeve. E vetmja ndërhyrje kur qeveria ka reaguar për zgjedhje është qëndrimi i shprehur publikisht i kryeministrit se është i gatshëm t’i ndihmojë opozitës për me shku në zgjedhje” – tha Konjufca.

Qeveria e Kosovës ka mbushur 3 vjet nga mandati i saj 4-vjeçar më 22 mars 2024.