Foto: ZKM

Kurti: E ndihmojmë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për RTK ka folur për punën e Qeverisë që e udhëheq gjatë tri viteve të fundit.

Pasi foli për çdo sektor, duke filluar nga siguria e deri te shëndetësia, krejt në fund Kurti pati edhe një ofertë për opozitën.

Kurti tha se nëse opozita do që të shkojë në zgjedhje, do e ndihmojë atë në këtë drejtim.

“Opozita duhet ta thotë fjalën e tyre, unë nuk mund të shkoj në zgjedhje pa opozitën. Për shpërndarje të Kuvendit duhen dy të tretat siç dihet dhe nuk ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje. Numrat mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja” – tha Kurti.

“Unë po them që po shkojmë në zgjedhje kur të dojë opozita. Në e ndihmojmë opozitën nëse dëshiron që të shkojë në zgjedhje, pa problem” -shtoi tutje ai.

Shefi i Qeverisë së Kosovës tha se gjithmonë është i gatshëm për zgjedhje.

Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës më 22 mars 2021, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021 në të cilat Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar 50.2 % të votave.