Nënkryetarja e bordit të RTK-së e quan dështim serialin ‘Tosta te Suki’, një episod i të cilit kushtoi 7,800 euro

Rreth 80 mijë euro i kishte kushtuar Radiotelevizionit të Kosovës seriali ‘Tosta te Suki’, serial të cilin nënkryetarja e bordit të RTK-së po e konsideron ‘dështim të madh të RTK-së”. 

Albulena Mehmeti, nënkryetare e bordit, në mbledhjen e 27.03.2024 tha se seriali ‘ Tosta te Suki’ nuk i ka merituar paratë që janë dhënë për të, pasi që u transmetuan 11 episode të këtij seriali, një më shumë se që ishte kontraktuar, në shumën prej 7,800 euro për një episod.

“Tek seriali humoristik keni konsideru që ka qenë një arritje e RTK-së, ndërsa për mendimin tim ka qenë dështim i madh i RTK-së, sepse jo që nuk ka pasë shikueshmëri por realisht as nuk është promovu sa duhet, nuk ka qenë serial që i ka meritu këto të holla, për mendimin tim”- tha ajo. 

Shkumbin Ahmetxhekaj, drejtori gjeneral i RTK-së, që ishte në këtë takim kur Mehmeti e kritikoi këtë serial, nuk e mbrojti vendimin për të transmetuar ‘Tosta te Suki’ në televizionin publik.

Për të realizuar këtë seri, RTK e kishte angazhuar kompaninë e produksionit “Kabashi Productions”, e cila kur aplikoi me këtë projekt në RTK nuk ishte fare e regjistruar si kompani në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK.  Kjo ishte zbuluar në një hulumtim që Kallxo.com kishte botuar në fund të vitit 2023. 

Lidhur me komentet e Mehmetit, nënkryetares së RTK-së, KALLXO.com ka kontaktuar regjisorin dhe producentin e këtij seriali, Astrit Kabashi, i cili tha se është kohë e shkurtër për të ardhur në përfundim se seriali ka dështuar.

Ai tha se nënkryetares mund të mos i ketë pëlqyer pasi shijet janë relative, ndërsa shtoi se këtë serial e ka përzgjedhur juria dhe komisioni që e ka bërë RTK-ja e nuk ua ka imponuar ai.

“Se pari faleminderit për info, nuk jam në dijeni se çfarë po ndodh në RTK. Nuk e di se si ka ardhur në përfundim që seriali ka qenë dështim, ne kemi bërë vetëm 11 episode dhe besoj që është kohë e shkurtër për të ardhur në atë përfundim. Gjithmonë e marrë shembull serialin “Kafeneja jonë” të cilin e kam shkruar unë, në sezonin e parë nuk është pëlqyer fare, pas sezonit të dytë ka fituar shikueshmëri. Tendenca ime ka qenë të bëj një serial normal, pa banalitete dhe që të gjithë të ndihen rehat kur e shikojnë.  Gjithsesi shijet janë relative, nënkryetares është e mundur që s’i ka pëlqyer, por këtë serial e ka përzgjedhur juria dhe komisioni që e ka bërë RTK, nuk është që unë ua kam imponuar, ka qenë konkurs i hapur”- ka thënë ai për KALLXO.com më 28.03.2024.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK) kishte blerë të drejtat e transmetimit të serialit “Tosta te Suki” me një çmim total prej 78 mijë euro për 10 episode apo 7,800 euro për një episod. 

Fitues i thirrjes për produksionet e pavarura, në mesin e 25 aplikimeve, është përzgjedhur projekti i Astrit Kabashit, përkatësisht produksioni “Kabashi Production”.

Kandidatët që morën pjesë në këtë thirrje publike të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), për blerjen e veprave audio-vizuele, nuk patën një “derë” për t’u ankuar.

Kjo ka ndodhur kur RTK përmes kësaj thirrjeje bleu një serial vendor që një episod kushtoi 7 mijë e 800 euro. E ata që morën pjesë në këtë thirrje e që u diskualifikuan nuk patën hapësirë për të parashtruar ankesë.

KALLXO.com përmes një hulumtimi kishte zbuluar se projekti fitues i Astrit Kabashit, përkatësisht produksioni “Kabashi Production”, nuk ka qenë i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) në kohën e aplikimit në thirrjen e RTK-së. 

Projekti “Tosta te Suki” nga Astrit Kabashi ishte zgjedhur fitues nga RTK më 8 qershor 2023 edhe pse nuk ishe fare firmë e regjistruar.

Arsyetimi i RTK-së është sepse ankesat nuk i parashikon Rregullorja për blerjen e veprave audio-vizuele.

Sipas RTK-së, kriteret e përzgjedhjes për këtë konkurs kanë qenë si për shembull cilësia e skenarit; interesi i publikut; origjinaliteti i ideve; çmimi; shtrirja e të drejtave të cilat jepen; referenca e aktorëve, regjisorëve, kameramanëve; si dhe referenca e produksionit të pavarur.

Për këtë konkurs ka pasur gjithsej 25 aplikime, ndërsa në fund ka fituar produksioni i regjisorit Astrit Kabashi me serialin ‘Tosta te Suki’.