Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Besnik Boletini rizgjidhet kryetar i bordit të RTK-së

Besnik Boletini është rizgjedhur kryetar i bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, më 18.03.2024, të bordit u propozuan dy emra për kryetar: Besnik Boletini dhe Safet Kabashaj.

Në votim, Boletini mori 7 vota nga anëtarët, kurse Kabashaj vetëm një votë.

Kuvendi i Kosovës kishte zgjedhur Besnik Boletinin dhe Arta Berishën anëtarë të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).

Boletini kishte marrë 54 vota, ndërsa Berisha 51 vota, në seancën e legjislativit të mbajtur më 07.03.2024.

Konkursi ka qenë i hapur për tre anëtarë të bordit të RTK-së nga radhët e komunitetit shqiptar, ndërsa në Kuvend 61 deputetë me shumicë votuan për Arta Berishën dhe Besnik Boletinin.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci kishte thënë se për anëtarin e tretë, në mes Albinot Hamitit (6 vota) dhe Albinot Malokut (5 vota) do të votohet për herë të dytë në seancën tjetër pasi që ka mungesë të kuorumit.

Besnik Boletini ka qenë kryetar i bordit të RTK-së, ndërsa Arta Berisha nënkryetare deri në dhjetor të 2023, kur iu përfundoi mandati.