Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

RTK nuk lejoi ankesa në konkursin përmes të cilit bleu rreth 8 mijë euro episodin, thonë se nuk e parasheh Rregullorja

Kandidatët që morën pjesë në thirrjen publike të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), për blerjen e veprave autovizuale, nuk patën një “derë” për t’u ankuar.

Kjo ka ndodhur kur RTK përmes kësaj thirrje bleu një serial vendor që një episod kushtoi 7 mijë e 800 euro. E ata që morën pjesë në këtë thirrje e që u diskualifikuan, nuk kanë hapësirë për të parashtruar ankesë.

Arsyetimi i RTK-së është sepse ankesat nuk i parashikon Rregullorja për blerjen e veprave audovizuale.

Konkursi ishte hapur për ‘Thirrjen publike për produksionet e pavarura’ dhe përmes thirrjes kërkohej që të aplikonin produksione të pavarura, për ofrimin e programeve audovizuale me program kulturor-artistik.

Anëtarë të Komisionit të vlerësimit të ofertave kanë qenë Arta Avdiu, kryetare e Komisionit; Ariana Salaj; Ilir Kabashi; Korab Lecaj dhe Zana Spahiu, anëtarë.

Sipas RTK-së, kriteret e përzgjedhjes për këtë konkurs kanë qenë si përshembull cilësia e skenarit; interesi i publikut; origjinaliteti i ideve; çmimi; shtrirja e të drejtave të cilat jepen; referenca e aktorëve, regjisorëve, kameramanëve; si dhe referenca e produksionit të pavarur.

Për këtë konkurs ka pasur gjithsej 25 aplikime, ndërsa në fund ka fituar produksioni i regjisorit Astrit Kabashi me serialin ‘Tosta te Suki’.

Në një përgjigje për KALLXO.com, RTK-ja ka thënë se Rregullorja për procedurat dhe kriteret në përzgjedhjen e përmbajtjeve audovizuale të producentëve të pavarur nuk parasheh procedurë ankimore. Por sipas tyre, kjo Rregullore tashmë është duke u amandamentuar.

“Rregullorja aktuale në fuqi, për blerjen e veprave audiovizuele, nuk parasheh procedurë ankimore. E njëjta rregullore është duke u amandamentuar” – kanë thënë nga RTK-ja për KALLXO.com.

Rregullorja në fjalë tregon për procedurat dhe kriteret e aplikimit, ndërsa për procedurë ankimore nuk flitet askund.

Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), ka blerë të drejtat e transmetimit të një seriali vendor, me çmim prej 7 mijë e 800 euro për një episod.

Sipas të dhënave të publikuara në E-Prokurim, RTK ka blerë të drejtat për serialin vendor ‘Tosta te Suki’.

Sipas kontratës së nënshkruar, vlera totale e saj është 78 mijë euro, ndërsa numri i episodeve që do të transmetohen në RTK është 10, që i bie 7 mijë e 800 euro për episod.

Prodhues i këtij seriali është ‘Kabashi Production’, kurse minutazha e një episodi duhet të jetë minimumi 25 minuta.

Seriali ‘Tosta te Suki’ – RTK blen 7,800 euro episodin