RTK e ka marrë donacionin nga OSBE, por ende s’e ka krijuar njësinë për luftimin e lajmeve të rreme

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës më 16.10.2023 kishte miratuar skemën e re programore. Në këtë skemë ishte paraparë edhe krijimi i një njësie për verifikimin e lajmeve/fakteve – fact check. 

Për funksionim më të mirë të kësaj njësie, Zyra e OSBE-së në Kosovë kishte dhënë donacion disa kompjuterë për RTK-në. 

“Mund të konfirmojmë se Misioni së fundi ka bërë një donacion modest të pajisjeve për RTK-në (5 PC, 5 monitorë, tavolina dhe karrige). Donacioni ishte për të mbështetur zyrën e sapokrijuar të RTK-së për Kontrollin e Fakteve”- thuhet në përgjigjet e OSBE për KALLXO.com 

Por, tash e 7 muaj nga miratimi i skemës progamore, Radio Televizioni i Kosovës nuk ka themeluar ende këtë njësi. 

skemen programore e cila është në web-faqen e mediumit publik nuk rezulton të ketë një emision apo njësi për verifikim të lajmeve/fact check. 

Në disa nga mbledhjet e bordit të RTK-së të cilat BIRN-i i monitoron, anëtarët e bordit kanë kërkuar përgjigje nga drejtori i përgjithshëm në lidhje me vonesat për themelimin e kësaj njësie. 

“Ne ende nuk kemi përgjigje drejtor sa i përket ‘fact-checking’. Nuk e dimë ende a po krijohet apo jo ajo njësi” – kishte thënë Fatime Lumi Qehaja, anëtare e bordit të RTK-së, më 22.02.2024. 

Sindikata e Pavarur e RTK-së në një reagim të saj më 18.04.2024 kishte kritikuar drejtorin e përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj për mosfunksionalizimin e njësisë për “factcheck” duke shtruar edhe pyetje në lidhje me donacionin e OSBE-së.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së është e shqetësuar nga papërgjegjshmëria e drejtorit gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj në raport me donatorët, në rastin konkret OSBE-në… Një sjellje e tillë në raport me donatorët dhe përkrahësit e RTK-së, dëmton rëndë kredibilitetin e Transmetuesit Publik. Drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj duhet ta sqarojë: Cka ka ndodhur me kompjuterët e dhururar nga OSBE? A është njoftuar OSBE për dështimin e funksionalizimit të njësisë për të cilën ishte dhënë donacioni?” – thuhet në reagim. 

Në përgjigjen për KALLXO.com, OSBE tha se “mezi presim që këto burime të përdoren dhe të kontribuojnë në punën e rëndësishme të RTK-së në promovimin e raportimit profesional”. 

KALLXO.com i ka dërguar pyetje drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, më 18.04.2024 dhe më 22.04.2024, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje prej tij.