Seriali ‘Tosta te Suki’ - RTK blen 7,800 euro episodin
Radiotelevizioni i Kosovës (RTK), ka blerë të drejtat e transmetimit të një seriali vendor, me çmim prej 7 mijë e 800 euro për një episod.
Sipas të dhënave të publikuara në E-Prokurim, RTK ka blerë të drejtat për serialin vendor ‘Tosta te Suki’.
Sipas kontratës së nënshkruar, vlera e totale e saj është 78 mijë euro, ndërsa numri i episodeve që do të transmetohen në RTK është 10, që i bie 7 mijë e 800 euro për episod.
Prodhues i këtij seriali është ‘Kabashi Production’, kurse minutazha e një episodi duhet të jetë minimumi 25 minuta.
Kontrata në mes RTK-së dhe ‘Kabashi Production’ është nënshkruar me datë 18 korrik 2023, kurse procedura e tenderimit ka qenë e negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.
Sipas letrës standarde të njoftimit për dhënien e kontratës, pronar i ‘Kabashi Production’ është Astrit Kabashi, aktori i mirënjohur kosovar.
Ditë më parë RTK ka bërë të ditur se ka arritur që të rikthejë transmetimin e ndeshjeve të Ligës së Kampionëve, si dhe ka siguruar transmetimin e kompeticioneve Evropa Ligën dhe Ligën e Konferencës.
Por, Radiotelevizioni i Kosovës nuk ka arritur ende që të sigurojë të drejtat e transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në futboll.
RTK rikthen Ligën e Kampionëve por jo edhe ndeshjet e kombëtares së Kosovës, drejtori jep detaje