Bordi i RTK-së miratoi me vërejtje raportin vjetor të drejtorit të përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka miratuar me vërejtje raportin vjetor të aktiviteteve të punës së drejtorit të përgjithshëm për vitin 2023.

Në vendim thuhet se për këtë raport shtatë anëtarë kanë votuar pro dhe një kundër, ndërsa votimi ka qenë në mënyrë elektronike.

“Mosrealizimi tërësishëm i skemës së përgjithshme programore, sipas miratimit nga Bordi i RTK-së” dhe “mosfunksionalizimi i njësive me rëndësi programore në RTK, siç është ajo e fact-chechking, pavarësisht investimeve të bëra në këtë drejtim” – janë dy nga vërejtjet e dhëna nga Bordi për drejtorin e përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Si vërejtje ndaj drejtorit të përgjithshëm, bordi ka dhënë edhe moszbatimin me efikasitet dhe seriozitet të rregullores për parandalimin e konfliktit të interesit.

Mosfunksionimi efikas i departamentit të marketingut dhe vonesat në adresimin e çështjeve dhe proceseve të rëndësishme – janë dhe dy vërejtjet e tjera që ky Bord i ka adresuar për drejtorin e përgjithshëm.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës kishte miratuar më 14.09.2023 skemën e re programore. Pjesë e kësaj skeme të miratuar nga Bordi ishte edhe krijimi i një njësie për kontrollim të lajmeve/fakteve, njësi kjo që 8 muaj pas miratimit të skemës, nuk është funksionalizuar.

Radiotelevizioni Publik i Kosovës në nëntor të 2022 kishte miratuar rregulloren për parandalimin e konfliktit të interesit. Neni 10 i kësaj rregulloreje thotë se “përfshirja dhe angazhimi politik, shkaktojnë papajtueshmëri dhe konflikt interesi për të gjithë të punësuarit, cenojnë detyrat e tyre dhe pavarësinë e mediumit, e në veçanti, të atyre që janë të përfshirë në krijimin e programeve ose kanë përgjegjësi editoriale”.

Asamblistët e Kuvendeve komunale që punojnë edhe në RTK