Tri kandidatet e RTK-së që u refuzuan për pozita menaxheriale përkundër faktit që u vlerësuan me më së shumti pikë në konkurse | Grafika: Diar Vuçetaj/KALLXO.com
Freedom House përmend hulumtimin e KALLXO.com për diskriminimin gjinor në RTK
Organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin e vitit 2024, në gjetjet për Kosovën ka përmendur hulumtimin e KALLXO.com “Radio Televizioni i Burrave” të publikuar më 01.09.2023 me autore Jeta Xharrën dhe Mediana Halilin, në lidhje me diskriminimin gjinor në proceset e rekrutimit për pozita të larta në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).
Në këtë raport thuhet se akuzat ishin për diskriminim të tri grave, punonjëse të RTK-së të cilat u lanë jashtë proceseve rekrutuese ani pse dolën më të suksesshmet në konkurset e hapura.
“Në shtator, transmetuesi publik Radio Televizioni i Kosovës (RTK) u përball me akuza për diskriminim gjinor për procesin e rekrutimit pasi gazetarët, Ilire Zajmi dhe Flora Masurica Durmishi dhe avokatja Mihrije Beiqi, të cilat kishin punuar në RTK që nga themelimi në 1999 nuk u zgjodhën për postet drejtuese për të cilat aplikuan, pavarësisht faktit se ishin kandidatet më të suksesshme në garat e hapura”- thuhet në raportin e “Freedom House.”
KALLXO.com kishte publikuar hulumtimin ekskluziv i cili tregon se si Ilire Zajmi, Flora Durmishi dhe Mihrije Beiqi u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në Televizionin Publik(RTK) por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.
Hulumtimi kishte nxitur reagime të shumta nga organizata dhe personalitete brenda dhe jashtë vendit.
Të dhënat tregojnë se riorganizimi u shoqërua me procese mjaft kontraverze të cilat i lanë jashtë pozicioneve udhëheqëse të RTK-së tri gra të cilat në konkurse ishin zgjedhur për të drejtuar në RTK. Ilire Zajmi, Mihrije Beiqi dhe Flora Durmishi u përzgjodhën në tri konkurse të ndryshme për të marrë pozicione udhëheqëse, por vendet e tyre i zunë kandidatët burra të cilët kishin më pak pikë në vlerësimet e komisioneve rekrutuese.
Përkundër faktit që dolën të parat në garë kur aplikuan, Ilire Zajmi, Mihrije Beiqi dhe Flora Durmishi thonë s’u lejuan t’i marrin postet e menaxhmentit të lartë.
“Freedom House” me seli në Uashington, SHBA, punon për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të promovuar ndryshimet demokratike, me fokus në të drejtat politike dhe liritë civile.
Raportimet e KALLXO.com:
‘Radio Televizioni i Burrave’, AGK e zhgënjyer me diskriminimin gjinor në RTK
Hulumtimi ‘Radio Televizioni i Burrave’ reagon Doarsa Kica Xhelili
Hulumtimi “Radio Televizioni i Burrave”, Halimi: Diskriminimi i grave në RTK është evident
Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës”, reagon Shenoll Muharremi
Hulumtimi “Televizioni i Burrave të Kosovës” – Rrjeti i Grave të Kosovës i reagon RTK-së