Mungojnë ministrat, deputetët e AAK-së bojkotojnë seancën për pyetje parlamentare
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës janë larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së ministrave të kabinetit qeveritar në seancën për pyetje parlamentarë, më 05.04.2024.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se në sallë janë të pranishëm 15 deputetë e veç një ministër.
Ai ka thënë se AAK-ja në mënyrë demonstrative e lëshon seancën për shkak se kabineti qeveritar me këto veprime po e injoron institucionin e Kuvendit.
“Jemi 15 deputetë e një ministër. Kur e kemi diskutuar ketë çështje kemi thënë se nuk po shkojmë në seancë për me vendos ‘hajt pak’, sa për pyetje parlamentare. Të shkojmë drejt me debatin për Komisionin hetimor që të mos humbin kohë dhe të votojmë ligje e marrëveshje ndërkombëtare. Është dërguar informata dhe veç një ministër e ke qetu. Çka bëjmë ne këtu- kjo është maskaradë. Injorim i qeverisë ndaj Kuvendit. Na nuk duhet me nejt këtu por duhet me ndërpre këtë seancë. Tre ministra jashtë, kryeministri në agjendë, e ku janë edhe 10 ministra tjerë. Prandaj, në mënyrë demonstrative ne si Aleancë nuk rrimë”- ka thënë ai.
Edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa është shprehur me tone kritike për mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në këtë seancë.
Ai ka thënë se Kurti nuk është përgjigjur që gjashtë muaj në pyetjet e deputetëve.
“Nëse ju si kryesuese mundemi me na gjetë kryeministrin, unë mundem me ia ba pyetjet. Por, nuk po di ku me gjet kryeministrin. Kjo pamje më se miri tregon që duhet me shku në zgjedhje. Kryesia e Kuvendit është dashtë me u kordinu me shefat e grupeve parlamentare e mos me thirrë seancë të tillë kur vijnë 10-15 deputetë dhe 1 ose 2 ministra”- u shpreh Beqa.
Kuvendi i Kosovës më 05.04.2024 ka mbajtur seancë plenare me një pikë të vetme të rendit të ditës- atë për pyetje parlamentare.