Foto: KALLXO.com
Me kërkesë të mbrojtjes shtyhet seanca ndaj vëllezërve Vllasaliu të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi
Seanca e së martës, 03.12.2024, e gjykimit të vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për rastin e vrasjes së biznesmenit nga Prishtina, Bedri Rexhepi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Jeton Vllasaliu, avokatit të tij Ndrec Dodaj.
“Për shkaqe shëndetësore nuk mund ta jap mbrojtjen sot, andaj propozoj që seanca të shtyhet për një datë tjetër”- tha avokati Dodaj.
Ndërsa i akuzuari Jeton Vllasaliu deklaroi se është duke përdorur terapi.
Propozimin e avokatit Dodaj për shtyrjen e seancës nuk e kundërshtoi prokurori Arben Hoti dhe as përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha.
Ndërkaq trupi gjykues mori aktvendim duke aprovuar propozimin e avokatit Dodaj.
Ndryshe në këtë seancë ishte paraparë të jepej mbrojtja e të akuzuarve.
Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale janë caktuar për në muajin shkurt.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Medie Bytyqi (kryetare e trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Gent Beka dhe Adnan Kamberi.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen se në bashkëkryerje e kanë vrarë biznesmenin Bedri Rexhepi në prillin e vitit 2021. Prokuroria konsideron se vrasja është kryer për shumë të konsideruar të parave.
Rasti ndaj vëllezërve Vllasaliu gjendet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve. Rast për të cilin Jeton dhe Nexhat Vllasaliu nuk e kishin pranuar fajësinë.
“Misteri i Zhdukjes së Biznesmenit” ishte hulumtimi i cili ishte transmetuar në emisionin “Kallxo Përnime” në maj të vitit 2021.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.