Foto: KALLXO.com
Gjykimi për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, motra e të akuzuarve nuk beson që vëllezërit e saj e kryen vrasjen
Në gjykimin e vëllezërve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, në seancën e sotme, më 09.07.2024, ka dëshmuar motra e të akuzuarve.
Hanumshahe Rukovci ka rrëfyer në Gjykatën e Prishtinës se ku kishte qenë më 08.04.2021, në ditën kur dyshohet se ishte vrarë biznesmeni Rexhepi.
Dëshmitarja tregoi se atë ditë në mëngjes kishte shkuar në punë si gjithmonë dhe kur kishte dalë nga puna rreth orës 15:20 kishte vendosur të shkonte te vëllai, Jeton Vllasaliu.
Ajo tregoi se kishte shkuar me autobus “24 yjet” e pastaj e kishte thirrur vëllanë, Jeton Vllasaliun, që të vinte ta merrte te rruga për të shkuar në shtëpi së bashku.
“Jetoni më ka thënë: “Jam duke shkuar ta marr Nadiren në punë, nashta të bie me pritë pak” – rrëfeu motra e të akuzuarve.
Sipas saj, ajo kishte pritur pak në rrugë pastaj kishte ardhur Jetoni me Nadiren dhe kishin shkuar në shtëpi e pastaj e kishin pirë kafe në oborr, ndërkohë që Jeton Vllasaliun e kishte thirrur dikush në telefon dhe ai ishte nisur drejt rrugës kryesore.
Pastaj ajo shtoi se rreth orës 18:00 kishin komunikuar me të akuzuarin Jeton Vllasaliun në telefon, të cilin e kishte pyetur nëse vinte për darkë e Jetoni, sipas saj, kishte thënë: “Hani ju se unë vonohem pak”.
Dëshmitarja tregoi se rreth orës 21:20 kishte dalë në ballkon dhe në ato çaste kishte parë Jeton Vllasaliun duke ardhur në shtëpi por ajo tha që nuk e kishte parë me çka kishte ardhur.
Tutje, ajo shtoi se atë natë kanë bërë muhabet, kanë ndejtë së bashku deri në mesnatë dhe se nuk kishte vërejtur te Jetoni ndonjë gjë të pazakontë: “Ka qenë si gjithmonë, i njëjti”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, dëshmitarja tha se e kishte vizituar vetëm vëllanë Jeton Vllasaliun dy herë në paraburgim dhe kishte biseduar po ashtu me të në telefon, ndërsa me vëllanë Nexhat Vllasaliun as nuk kishte biseduar e as nuk e kishte vizituar.
Ajo shtoi se Jetoni për rastin nuk e ka pyetur pasi që Jetoni i kishte thënë që vetëm për një pikë pajtohem ndërsa për tjerat jo, madje ajo nuk e kishte pyetur as për cilën pikë i akuzuari pajtohet.
Dëshmitarja shtoi që nuk e ka njohur të ndjerin dhe as nuk beson që vëllezërit e saj e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.
Gjithashtu, dëshmitarja tha se qëndron pranë dëshmisë së dhenë në Polici.
Më pas kryetarja e trupit gjykues, Mehdie Bytyqi, dhe gjyqtarët Gent Beka e Adnan Kamberi, kërkuan që pyetjet e mbetura të bëhen në seancën tjetër, e cila do të mbahet më 24.07.2024, kur po ashtu do ta vazhdojë dëshminë edhe Nadire Gashi, e cila është bashkëshortja e të akuzuarit Jeton Vllasaliu.
Sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 08.04.2021 Bedri Rexhepin e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, pasi paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e vret Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.
Sipas dosjes së Prokurorisë, pastaj veturën me të cilën Bedri Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jeton Vllasaliu e kishte dërguar në arat e fshatit Shushicë – Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhat Vllasaliun, i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturën e tij personale nga vendi ku Jeton Vllasaliu kishte fshehur veturën e të ndjerit.
Me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerjen e veprës penale.
Me këto veprime të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale – vrasje e rëndë si dhe veprën penale – dëmtim i varreve apo kufomave.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast penal mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.