Mbyllet për publikun seanca ndaj dy të akuzuarve për dhunime seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë
Kolegji gjykues i Gjykatës së Apelit sot më 04.06.2026 ka mbyllur për publikun seancën ndaj Ivica Rajkoviq edhe Dragan Deniq të akuzuar për dhunim seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Gjykata mori vendim që kjo seancë të mbyllet për publikun me qëllim të mbrojtjes së viktimës pasi në këtë çështje penale rasti ka të bëjë me krimet e luftës, mirëpo veprimet e të akuzuarve kanë të bëjnë me veprën penale të dhunimit.
Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq janë duke u gjykuar në mungesë për këtë rast, pasi të njëjtit nuk janë arritur nga organet e rendit.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 28.07.2025 i kishte gjetur fajtor dy të akuzuarit Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq dhe iu kishte shqiptuar secilit veç e veç dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 viteve.
Vendimi në shkallë të parë ishte marrë në përbërje të trupit gjykues: Rrahman Beqiri (kryetar i trupit gjykues) Vesel Ismaili edhe Arben Hoti (anëtarë).
Kolegji gjykues që po trajton këtë çështje penale në Gjykatën e Apelit është i përbërë nga gjyqtarët: Avni Mehmeti (kryetar i kolegjit) Albina Shabani-Rama (gjyqtare referuese) dhe Valon Kurtaj (anëtarë).
Seanca fillestare lidhur me këtë rast është mbajtur më 13.02.2025.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale, më 27.11.2023, ka ngritur Aktakuzë ndaj të pandehurve: Ivica Rajkoviq dhe Dragan Deniq.
Në Aktakuzë përshkruhet se si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, gjatë luftës në Kosovë, pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, më 24 mars 1999, në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare, të përcaktuara në Konventat e Gjenevës të 12.08.1949, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e Komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të këtij Njësiti, morën pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, plaçkitjen e tyre, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre, si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Siç thuhet në Aktakuzë, të pandehurit në bashkëkryerje me persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kanë kryer veprën penale: “krimet e luftës kundër popullsisë civile”, nga Neni 142, lidhur me Nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “krimet kundër njerëzimit”, nga Neni 143 Par.1 Nënpar. 1.6 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të RKS.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu.