Seanca gjyqësore ndaj Jeton dhe Nexhat Vllasaliut për akuzën për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi | Foto: Kallxo.com

Nuk e pranojnë fajësinë dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi

Dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi nuk e kanë pranuar fajësinë sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu akuzohen nga Prokuroria se kanë vrarë dhe pastaj zhdukur trupin e biznesmenit Bedri Rexhepi, për përfitimin e 30 mijë eurove.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i prokurorisë speciale Armend Hamiti, të akuzuarit u deklaruan, duke mos e pranuar fajësinë.

Jeton Vllasaliu tha se nuk ndihet fajtor në disa prej pikave për të cilat akuzohet.

“Nuk ndihem fajtor në disa pika”- tha para Gjykatës i akuzuar Jeton Vllasaliu.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Nexhat Vllasaliu deklaroi para gjykatës se nuk ndihet fajtor.

“Jo, unë nuk ndihem fajtor”- tha Nexhat Vllasaliu.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu në bashkëkryerje dhe me marrëveshje kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta biznesmenin nga Prishtina Bedri Rexhepin.

E tëra kjo sipas Prokurorisë, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore.

Tutje sipas aktakuzës, Jeton Vllasaliu më 8 prill të vitit 2021, të dëmtuarin Bedri Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali, në shtëpinë e të pandehurit Nexhat Vllasaliu, ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me të arritur te shtëpia e të pandehurit, Jeton Vllasaliu në mënyrë tinëzare e privon nga jeta Bedri Rexhepin duke menduar që ky i fundit ka shumën e caktuar të parave.

Pastaj veturën me të cilën Rexhepi kishte shkuar deri te shtëpia e të akuzuarve, Jetoni e kishte dërguar veturën e Rexhepit në arat e fshatit Shushicë-Janjevë, pastaj i pandehuri e kishte thirrur në telefon Nexhatin i cili i kishte dalë në ndihmë, duke e marrë me veturë të tij personale nga vendi ku Jetoni kishte fshehur veturën e të ndjerit.

E me këtë veprim, sipas dosjes së Prokurorisë, Nexhat Vllasaliu kishte ndihmuar në kryerje e veprës penale.

E me këto veprime të njëjtit akuzohen e kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë si dhe veprën penale dëmtim i varreve apo kufomave.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK