Mbrohet në heshtje i akuzuari për krime lufte, Zoran Vukotiq
Zoran Vukotiq, i akuzuar për “krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka shfrytëzuar të drejtën e tij të mbrohet në heshtje për akuzat që i vihen në barrë nga organi i akuzës.
Këtë deklarim Vukotiq e bëri në seancën e së martës, më 15.04.2025, në Gjykatën e Prishtinës.
I pandehuri Zoran Vukotiq nga Prokuroria Speciale po akuzohet për katër Aktakuza për “krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë”.
Në seancën e datës 22.08.2024 me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Zoran Vukotiq, avokatit Nebojsha Vllajiq, ishte bërë bashkimi i procedurës penale për katër Aktakuza për “krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë”.
Paraprakisht në këtë seancë u bë administrimi i provave materiale për katër Aktakuzat dhe pas kësaj i akuzuari Vukotiq kur u pyet nga Gjykata rreth deklarimit të tij, i akuzuari Vukotiq deklaroi se dëshiron të shfrytëzojë të drejtën e tij ligjore që të mbrohet në heshtje.
Palët në procedurë pritet ta japin fjalën e tyre përfundimtare për këtë çështje penale në seancën e radhës, e cila është caktuar për në muajin maj 2025.
Trupi Gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Rrahman Beqiri (Kryetar), Arben Hoti dhe Violeta Namani-Hajra (anëtarë).
Ndërsa Aktakuza po përfaqësohet nga prokurorja Florije Salihu-Shamolli.
I pandehuri Zoran Vukotiq në Aktakuzën e parë të Prokurorisë Speciale, të ngritur më 20.04.2017, akuzohet se mes datës 2 dhe 03.05.1999, në cilësinë e zyrtarit policor rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri, duke vepruar në bashkëkryerje me anëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në një sulm ndaj popullatës civile shqiptare që udhëtonin në një autokolonë mes fshatit Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme.
Tutje, në Aktakuzë thuhet se civilët iu nënshtruan qëllimisht vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, zhvendosjes, aplikimit të masave të frikësimit dhe terrorit, konfiskimit të pronës etj.
Sipas Aktakuzës, në mesin e këtyre civilëve të vrarë, të plagosur e të trajtuar në mënyrë çnjerëzore, për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi direkte ose në bashkëkryerje me të tjerët, kanë qenë: E.M., Xh.M., F.(A)G., E.R., A.B., Rr.A., një 14-vjeçar i paidentifikuar, si dhe H.A., Sh.G., M.G.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte shpallur fajtor për Pikën III të Aktakuzës, duke i shqiptuar dënim me 6 vjet e 6 muaj burgim, për “krime lufte kundër popullatës civile” të sanksionuara me Konventat e Gjenevës.
Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte liruar nga Pika e parë që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për “pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë”.
Ndërsa për Pikën e II të Aktakuzës, që e ngarkonte Vukotiqin se në cilësinë e policit rezervist nga Stacioni Policor në Vushtrri ka marrë pjesë në paraburgim të paligjshëm të një numri të madh të popullatës civile shqiptare në ndërtesën e ish-Kooperativës bujqësore në Vushtrri, gjatë së cilës civilët me qëllim i janë nënshtruar trajtimit çnjerëzor, Prokurori i Çështjes ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Gjykata e Apelit në vitin 2019 e kishte kthyer rastin në Rigjykim, sa i përket Pikës së parë të Aktakuzës, që e ngarkonte Zoran Vukotiqin për “pjesëmarrje në vrasjen e civilëve shqiptarë në fshatin Studime të Vushtrrisë”.
Tutje, kjo Gjykatë për Pikën III të Aktakuzës ia kishte vërtetuar dënimin e shqiptuar prej gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim të akuzuarit Vukotiq.
Sipas Aktakuzës së Dytë të Prokurorisë Speciale, më 16.05.2017, i pandehuri Zoran Vukotiq akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në bashkëkryerje me të pandehurin Gurolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit në Policinë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, pasi kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civil shqiptarë, të identifikuar si: E.R., H.F., A.F. dhe F.F.
Tutje, sipas Pikës II të Aktakuzës Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje, në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar: S.F., F.Sh., V.Xh., Z.Xh., N.Xh., B.Xh., Z.Xh., B.P., L.R., G.M., H.M., G.Sh., A.S., S.Sh., B.O. Sh.O. dhe F.M., të cilët i kanë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat i bartin edhe sot.
Tutje, sipas Pikës III të kësaj Aktakuze i pandehuri Zoran Vukotiq po akuzohet se në bashkëkryerje me datë, kohë, në vend, në cilësi të njëjtë si më lart, në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së luftës në Kosovë, me dashje dhe dhunshëm kanë plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra të tjera të çmueshme nga civilët shqiptarë, konkretisht nga të dëmtuarit, si: V.Xh., N.Xh., Z.Xh., B.O., Sh.O., B.M., A.F., H..F. dhe F.G.
Me këtë i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 16.05.2018 të pandehurin Zoran Vukotiq e kishte liruar nga tri Pikat e Aktakuzës. Sipas Aktgjykimit nuk ishte dëshmuar se i njëjti kishte kryer veprat penale të cilat i viheshin në barrë.
Ndërsa Gjykata e Apelit më 2019 këtë rast e kishte kthyer në Rigjykim.
Për çka akuzohet Zoran Vukotiq?
Sipas Aktakuzës së Tretë të Prokurorisë Speciale të datës 23.06.2017, Zoran Vukotiq po akuzohet se në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë, më 18 prill 1999, rreth orës 15:00, në rrugën “Rruga e Sitnicës”, tani “Enver Musa”, në afërsi të varrezave të qytetit të Vushtrrisë, i pandehuri Vukotiq në bashkëkryerje me NN personat, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë serbe dhe të armatosur, kanë vepruar në kundërshtim me normat e së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë konfliktit në Kosovë.
Tutje sipas Aktakuzës, i pandehuri Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka vrarë të miturin e nacionalitetit shqiptar të moshës 13-vjeçare B.M., me armë automatike në atë mënyrë që tani viktima së bashku me djalin e axhës së tij Faton Mulin kishin marrë biçikletën e fqinjit Skënder Bajraktari dhe kishin dalë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë.
Tutje, sipas Aktakuzës, më pas, ata kishin dëgjuar disa krisma të armëve, me ç’rast ndërrojnë rrugën dhe nisen në drejtim të rrugës “Enver Musa”, ku pikërisht në rrugën kryesore hasin në tre policë të armatosur.
Tutje, sipas Aktakuzës, kur dy fëmijët i shohin policët fillojnë të ikin dhe njëri nga policët e uniformuar, tani i pandehuri Zoran Vukotiq, nga largësia prej 30 metrash, gjuan me armë zjarri në drejtim të fëmijëve, duke qëlluar në gjoks B.M., i cili vdes menjëherë, ndërsa Faton Muli arrin t’u shpëtojë të shtënave me armë – duke u fshehur afër murit, i cili gjendej aty afër.
Me këtë i pandehuri Vukotiq akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Për Pikën I të kësaj Aktakuze për të cilën Vukotiq akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer krime kundër popullatës civile, Prokuroria për këtë Pikë ishte tërhequr nga ndjekja penale.
Ndërsa, gjykimi për këtë rast vazhdon për Pikën II të kësaj Aktakuze.
Aktakuza e Katërt ndaj Zoran Vukotiqit është ngritur më 04.10.2023, me të cilën Vukotiq akuzohet për dhunim seksual gjatë luftës. Ky gjykim është duke u gjykuar i mbyllur për publikun.
Zoran Vukotiq akuzohej edhe për një rast tjetër se si pjesëtar i forcave policore të Njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e Komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij Njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.
Ai akuzohej se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre, si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar.
Gjykata e Prishtinës më 5 korrik 2021 e kishte dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin, mirëpo lënda është kthyer në Rigjykim pas Ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar, të cilat kërkonin ashpërsimin e dënimit dhe Ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.
Gjykata e Apelit më 15 shkurt 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar Ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar Aktgjykimin e Shkallës së Parë vetëm përkitazi me Vendimin mbi dënimin, ashtu që të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vjet, duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vjetësh, në të cilin dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim deri më datën e plotfuqishmërisë së Aktgjykimit.
Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog, pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli, teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link.