Gruri, Foto: Pixabay
Nis hetimi për shitjen e farës së grurit që importohet nga Serbia
Qeveria në detyrë e Kosovës ka filluar një hetim për shitjen e farës së grurit që importohet nga Serbia.
Në një konferencë për media, më 05.06.2026, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se ka dyshime se fara e grurit që importohet nga shteti fqinj po shitet me çmim të ulët, duke i dëmtuar bizneset kosovare.
“Është nënshkruar vendimi për fillimin e hetimeve. Është vërejtur se çmimi me të cilin shitet fara e grurit prej Serbisë në Kosovë është i njëjtë me atë që shitet në Serbi, apo edhe më i ulët. Kjo nënkupton se nuk po përfshihet kostoja e transportit, kostot e tjera që lidhen me eksportin e farës së grurit dhe disa vlerësime të tjera të cilat komisioni i ka bërë. Tashmë, me rekomandimin e tyre, kam nënshkruar fillimin e hetimeve” – tha Kusari-Lila.
Pas përfundimit të hetimeve brenda një kohe të shkurtër, Kusari-Lila tha se do të merren masa anti-dumping ndaj Serbisë.
“Brenda një periudhe të shkurtër ne edhe zyrtarisht do t’i vendosim masat tona në raport me anti-dumpingun që po konsiderohet se po aplikohet nga Serbia. Pjesë e procesit është edhe Ministria e Bujqësisë, sepse kemi të bëjmë edhe me cilësinë e farës së grurit, por edhe me mundësinë e prodhimit vendor për ta mbuluar kërkesën për farën e grurit” – sqaroi ministrja në detyrë.
Gjithashtu, Kusari-Lila njoftoi se ka përcjellë në Qeveri vendimin për vendosjen e kuotës sasiore për importin e aluminit dhe produkteve prej tij.
“Vendoset kuota sasiore ndaj Serbisë për aluminin dhe artikujt prej tij. Kjo masë synon mbrojtjen e prodhimit vendor, rivendosjen e kushteve të drejta të konkurrencës dhe garantimin e trajtimit reciprok në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. Kuota e importit caktohet në 30% të vëllimit total të këtyre produkteve.”
“Nga hyrja në fuqi e këtij vendimi deri më 31 dhjetor 2026, sasia maksimale e lejuar për import është 637.27 tonë. Importet që tejkalojnë këtë kuotë do t’i nënshtrohen një tarife doganore prej 50%” – shtoi ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Masat anti-dumping janë taksa doganore shtesë dhe kufizime tregtare që vendos qeveria e një vendi për të mbrojtur prodhuesit dhe industrinë vendase nga konkurrenca e huaj që ofron produkte me çmime dumping.
Këto masa merren kur kompani të huaja importojnë mallra me një çmim jashtëzakonisht të ulët – shpesh më poshtë se kostoja e prodhimit ose më lirë sesa e shesin atë produkt në vendin e tyre të origjinës. Kjo praktikë quhet “dumping” ose shitje nën vlerë.