Refuzimi i “Hezbollahut” pengon armëpushimin në Liban dhe perspektivat për përfundimin e luftës me Iranin

Milicia e “Hezbollahut”, e mbështetur nga Irani, ka hedhur poshtë armëpushimin e ri në Liban dhe Izraeli ka theksuar se nuk do të tërheqë trupat nga vendi, duke minuar përpjekjet e presidentit amerikan, Donald Trump, për ndaljen e luftimeve atje dhe për arritjen e paqes me Teheranin, raporton Reuters.

Irani e ka kthyer në kusht armëpushimin në Liban me çfarëdo marrëveshje paqeje me Uashingtonin dhe ditëve të fundit ka sugjeruar se mund të ndërhyjë drejtpërdrejt nëse Izraeli e vazhdon sulmet në territorin libanez.

Megjithatë, lideri i “Hezbollahut”, Naim Qassem, ka hedhur poshtë paktin e ndërmjetësuar nga SHBA-ja ndërmjet Izraelit dhe qeverisë libaneze për ndaljen e luftimeve. “Hezbollahu” nuk ishte palë në negociata. Nuk pati përgjigje të menjëhershme nga Izraeli ose Libani.

Në Uashington, Trump u ka thënë gazetarëve se beson se po shënohet përparim në Liban dhe se vendi meriton të ketë paqe, duke shtuar: “Ka kohë që po ndodh”.

Megjithatë, Izraeli ka vazhduar sulmet në Libanin jugor dhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se forcat e tij nuk do të tërhiqen ose ndalin operacionet në vend, të cilin e pushtuan në mars paralelisht me luftën e Iranit.

Komandanti i Forcës Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit, e cila themeloi “Hezbollahun” më 1982, ka thënë se Izraeli duhet të tërhiqet të paktën në pozicionet që mbante para fillimit të luftës.

Së bashku me Libanin, banorët e Gazës, Izraelit verior dhe Kuvajtit kanë qenë të gjithë nën zjarr këtë javë, pavarësisht armëpushimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, për të cilat Trump ka thënë të mërkurën se përfshinin “të shtëna në një mënyrë më të moderuar”, në vend të ndalimit të plotë të luftimeve.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com