Supremja vërteton dënimin e të akuzuarit Zoran Vukotiq për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Kolegji i Gjykatës Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të avokatit mbrojtës dhe të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu.

Gjykata e Prishtinës, më 5 korrik 2021 e kishte është dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda është kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar për ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.

Edhe në rigjykim, Vukotiq ishte dënuar me 10 vjet burgim, i akuzuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare të Vushtrrisë gjatë luftës.

Vukotiqi akuzohet se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.

Ai akuzohet se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar në atë mënyrë që më 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilatre serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari Vukotiq.

Gjykata e Apelit me 15 shkurt 2023, e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin, ashtu që të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vite, duke e gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 13 vite, në të cilin dënim i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim deri më datën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të gjitha lajmet në lidhje me rastin i gjeni KËTU.