Dhoma e Përfaqësuesve mbështet sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmën ndaj Ukrainës

Dhoma amerikane e Përfaqësuesve ka miratuar të enjten, sipas kohës lokale amerikane, legjislacionin me të cilin i ofrohet ndihmë Ukrainës dhe i vendosen sanksione të reja Rusisë, shenja e fundit se disa republikanë janë të gatshëm t’i sfidojnë liderët e partive dhe ta kundërshtojnë presidentin Donald Trump, raporton Reuters.

Dhoma e Përfaqësuesve ka votuar me 226 kongresistë pro dhe 195 kundër për Aktin e Mbështetjes Ukrainës, i cili u propozua seancë pasi u vonua për muaj të tërë. Një numër republikanësh iu bashkuan demokratëve për nënshkrimin e peticioni për ta detyruar votimin.

18 republikanë dhe një i pavarur që zakonisht voton si ta iu bashkuan të enjten demokratëve për miratimin e projektligjit. Ishte shenja e fundit e një çarjeje në atë që kishte qenë mbështetje praktikisht unanime midis anëtarëve të partisë së presidentit Trump për politikat e tij.

Miratimi kaloi një ditë pasi një grup më i vogël republikanësh të Dhomës së Përfaqësuesve iu bashkuan demokratëve për ta miratuar një rezolutë që do ta detyronte tërheqjen e trupave nga armiqësitë me Iranin, përveç nëse Kongresi shpall luftë ose urdhëron përdorimin e forcës ushtarake.

Olha Stefanishyna, ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, në një postim në X e quajti vendimin “një hap të rëndësishëm përpara dhe (i cili) pasqyron mbështetjen e vazhdueshme dypartiake për Ukrainën”.

E pasigurt e ardhmja e aktit mbështetës

Megjithatë, e ardhmja e Aktit Mbështetës për Ukrainën është e pasigurt. Që ai të kthehet në ligj, duhet të miratohet në Senat, liderët republikanë të të cilit nuk kanë lejuar votime për legjislacionin e sanksioneve ndaj Rusisë që ka mbështetje të gjerë dypartiake, duke thënë se do të prisnin udhëzimet e presidentit Trump.

Nëse kalon në Senat, presidenti Trump me gjasë do ta përdorë veton kundër tij.

Ndërsa shumë kongresistë nga të dy partitë e mbështetën fuqimisht Ukrainën në vitet e para pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë në shkurt 2022, disa nga aleatët më të ngushtë republikanë të Trumpit, përfshirë udhëheqjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit – janë ftohur në raport me Kievin qysh se Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

Presidenti gjithashtu i ka marrë vendimet për sanksionet në Shtëpinë e Bardhë, jo në Kongres, që nga fillimi i mandatit të tij të dytë.

Ndihma e SHBA-së për qeverinë e Kievit është ngadalësuar ndjeshëm, edhe pse Rusia dhe Ukraina kanë sulmuar njëra-tjetrën me raketa, dronë dhe artileri. Bisedimet e paqes kanë ngecur, me Ukrainën që refuzon kërkesën e presidentit rus, Vladimir Putin, që ta dorëzojë territorin që ka mbrojtur me sukses që nga viti 2022.

Akti i Mbështetjes së Ukrainës përfshin masa për ta ndihmuar Ukrainën të rindërtohet pas luftës, autorizon më shumë se 1 miliard dollarë ndihmë për Kievin dhe deri në 8 miliardë dollarë mbështetje përmes kredive të drejtpërdrejta.

Legjislacioni vendos njashtu sanksione të ashpra dhe kontrolle të eksportit ndaj Rusisë, duke përfshirë institucionet financiare, naftën dhe minierat dhe zyrtarët rusë.

Votimi ka kaluar në kohën kur Bashkimi Europian, një tjetër aleat i Ukrainës, u pajtua këtë javë të nisë bisedime me Kievin mbi grupin e parë të çështjeve në bisedimet e tyre të pranimit. Kjo pasoi marrëveshjen për ndarjen e kredisë prej 90 miliardë eurosh për fuqizimin e mbrojtjes dhe ekonomisë se Ukrainës.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com