Momenti i arrestimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut | Foto: Kossev/05.06.2026

I shqiptohet kundërvajtje për vandalizëm kryetarit të Mitrovicës së Veriut dhe ish-kryetarit të Kuvendit Komunal

Policia e Kosovës u ka shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm dy personave të arrestuar në Mitrovicë të Veriut, kryetarit të Komunës, Millan Radojeviq dhe Nemanja Bishevac, ish-kryetarit të Kuvendit Komunal.

Radojeviq dhe Bishevac u arrestuan më 05.06.2026, pasi e ngjyrosën me ngjyrë mbishkrimin “E DUA MITROVICËN” që ndodhet në rreth rrotullimin e Mitrovicës së Veriut.

Policia thotë se të premten, më 05.06.2026 e pranuan vendimin e Komunës së Mitrovicës së Veriut për largimin e mbishkrimit.

Pasi policët kanë dalë në vend të ngjarjes, janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Me këtë rast, sipas Policisë, kishte arritur edhe Radojeviq me rreth 20 persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe ish-kryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut.

“Të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së intervistës për media, iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë “tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën.” Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëherit kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik.” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Ngjyrosja e mbishkrimit ka ndodhur dhe ata nuk i janë bindur urdhërave të Policisë që të mos e dëmtonin objektin publik.

“Është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor. Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm. Me urdhër të prokurorit kompetent janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.” – njofton Policia.

KALLXO.com raportoi për pamjet në të cilat u pa arrestimi i Radojeviq, të publikuara nga portali Kossev.

VIDEO – Momenti i arrestimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut

 

“E DUA MITROVICEN” – ishte vendosur gjatë kohës sa kryetar i Komunës së Mitrovicës së Veriut ishte Erden Atiq. Në fund të majit, Kuvendi Komunal i Mitrovicës Veriore miratoi një propozim për heqjen e këtij mbishkrimi.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut miraton largimin e mbishkrimit “I love Mitrovica”