Foto - KALLXO.com
“Barazi ose Revoltë” – Mbahet Parada e Krenarisë në Prishtinë 2026
Një numër i madh aktivistësh, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën të premten në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë për të marrë pjesë në Paradën e Krenarisë, e organizuar në kuadër të Java e Krenarisë 2026.
Parada e sivjetme u zhvillua nën moton “Barazi ose Revoltë”, një thirrje për barazi, përfshirje dhe respektim të të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë.
Pjesëmarrësit marshuan nga sheshi “Skënderbeu” drejt sheshit “Zahir Pajaziti”, duke mbajtur pankarta dhe mesazhe që kërkonin trajtim të barabartë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Gjatë marshimit, organizatorët theksuan rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për avancimin e të drejtave të komunitetit LGBTQ+, duke vlerësuar se ende ekzistojnë sfida në arritjen e barazisë së plotë në shoqëri.
“Kjo javë ka filluar më 1 qershor me një performancë artistike. Ka qenë një javë e mbushur me plot aktivitete artistike dhe konferenca për të diskutuar më shumë rreth 10 viteve rezistencë të komunitetit LGBTQ+. Mesazhi im sot është që të jemi vetvetja dhe çdo ditë të luftojmë për atë që jemi,” – tha Erza Kurti pjese e organizimit të Prishtina Pride.
Parada e Krenarisë u përmbyll me një koncert në Biblioteka Kombëtare e Kosovës, aktivitet që tashmë është shndërruar në një traditë për mbylljen e kësaj ngjarjeje.

Në koncert performoi këngëtarja Adelina Ismaili, e cila interpretoi disa nga këngët e saj para pjesëmarrësve të pranishëm.
“Shumë krenare që kauzat tona nuk kanë vdekur. Kjo më bën shumë krenare ta festojmë këtë ditë në zemër të Prishtinës. Është e pabesueshme, krenari e madhe. Unë kam qenë pjesë e tyre prej rinisë së hershme. Shokët më të mirë, njërit të cilit i kam kushtuar edhe këngë, i kam pasur prej këtij komuniteti.” – tha Adelina Ismaili.
Parada e Krenarisë organizohet çdo vit në Prishtinë si pjesë e aktiviteteve të Javës së Krenarisë, me qëllim promovimin e të drejtave, dinjitetit dhe barazisë për të gjithë qytetarët.
Në edicionet e kaluara, pjesë e marshimit kanë qenë edhe përfaqësues institucionalë, përfshirë kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, i cili mori pjesë në Paradën e Krenarisë vitin e kaluar.