Manastiri i Deçanit, foto/REL

Manastiri Deçanit regjistron pronësinë e tokës prej 24 hektarëve

Manastiri  Deçanit ka konfirmuar se toka prej 24 hektarëve është regjistruar edhe zyrtarisht pranë Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë.

Ky njoftim vjen vetëm pak ditë pasi Qeveria e Kosovës i dha dritën e gjelbër kadastrit të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

“Dioqeza Rashkë-Prizren e Kishës Ortodokse Serbe konfirmon se përfaqësuesi i autorizuar i Manastirit Visoki Deçan sot ka marrë një ekstrakt zyrtar kadastral nga Kadastra Qendrore e Kosovës në Prishtinë, duke përfshirë të gjitha pronat e Manastirit të Deçanit, që përfshin 24 hektarët e njohur Manastirit me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016” – thuhet në njoftimin e datës 20.03.2024.

“Në bazë të ekstraktit kadastral, mund të konfirmojmë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2016 është ekzekutuar dhe se në Kadastër manastiri njihet si pronar i pronës që ishte kontestuar më parë” – vijon njoftimi.

Në mbledhjen e Qeverisë Kurti të mbajtur më 13.03.2024, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që vendimi i Kushtetueses të zbatohet.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”- tha Kurti para kabinetit të tij.

Kosova ka aplikuar në Këshill të Europës më 12.05.2022. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që t’i jepen pronat Manastirit të Deçanit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka reaguar kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. Ramosaj ka thënë se Deçanit është goditur “përsëri padrejtësisht” por sipas tij, kësaj radhe nga një urdhër ekzekutiv i kryeministrit Albin Kurti.

“Deçani së pari është goditur padrejtësisht në vitin 2008, kur u krijua ‘Zona e Veçantë e Mbrojtur’, e cila bëri ndalimin e plotë dhe kufizimin e pajustifikueshëm në: ndërtimin e rrugës; ndërtimin e shtratit të Lumbardhit; në ndalimin e shfrytëzimit të ‘Pushimores së Fëmijëve’; e ndaloj plotësisht zhvillimin ekonomik dhe ndërtimin në prona private brenda kësaj zone” – ka deklaruar Ramosaj më 13.03.2024.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesi i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, e ka quajtur vendim të rëndësishëm.

“Vendimi i sotëm për Manastirin, sa ishte i vështirë është edhe i rëndësishëm, dhe i falënderoj institucionet për këtë hap” – nisi fjalën e tij Escobar në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, më 13.03.2024.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit. Hovenier tha se një hap i tillë demonstron përkushtimin e Kosovës për të ruajtur sundimin e ligjit.

“Siç tha sot në mëngjes Zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar, vendimi i sotëm për Manastirin e Deçanit ishte një hap i domosdoshëm dhe falënderojmë liderët kosovarë për përpjekjet e tyre për ta çuar këtë përpara”- ka shkruar ai në platformën ‘X’.

Vendimin e Qeverisë së Kosovës e ka mirëpritur edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport. Davenport ka thënë se me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit.

“E përshëndes vendimin e sotëm të Qeverisë që udhëzon Agjencinë Kadastrale të zbatojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 duke regjistruar 24 hektarë tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit, siç kërkohet. Me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit”- ka thënë ai.

27 vjet procedura gjyqësore për 24 hektarë tokë në çështjen e Manastirit të Deçanit