Këshilli i Evropës, Strasburg/ Foto: Denis Sllovinja, KALLXO.com

Këshilli i Europës nuk konfirmon datat e Kurtit, thotë që ka akoma hapa në proces

Pas vendimit për zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, Këshilli i Europës ka konfirmuar për KALLXO.com se kryetari i Komisionit për Çështje Politike ka pranuar notën verbale nga Qeveria e Kosovës në lidhje me zhvillimin e fundit.

Por, ndryshe nga deklarimet e kryeministrit Albin Kurti, nga Këshilli i Europës thanë se akoma nuk janë caktuar datat për mbledhjet për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, sepse, sipas tyre, nuk mund të caktohen data pa përfunduar debatet në Asamblenë e Këshillit të Europës.

“Nuk është e mundur të ketë data përfundimtare për këtë, pasi ka disa hapa në proces. Asambleja mund të vazhdojë me debatin dhe votimin për këtë çështje vetëm pasi Komisioni për Çështje Politike të ketë miratuar draft-opinionin e tij dhe dy komisione të tjera të kenë dhënë pikëpamjet e tyre”- tha për KALLXO.com, zëvendësshefi i Divizionit të Komunikimit në Këshillin e Europës, Agnus Macdonald.

Kështu u përgjigj Këshilli i Europës në pyetjen e KALLXO.com në pyetjen nëse qëndrojnë datat e paraqitura nga kryeministri Albin Kurti për kohën që parashihet të mbahen mbledhjet për Kosovën.

Kryeministri Kurti më 13.03.2024 tha se më 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit të Këshillit të Europës.

“…kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë”- tha Kurti.

Sipas përgjigjes së Këshillit të Europës, data e vetme që është caktuar deri më tani është 27 marsi, në të cilën është caktuar një mbledhje për çështjet politike të Asamblesë në Paris, në të cilën raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, synon të paraqesë raportin e saj që përmban një draft-opinion.

“Siç e dini, pasi Asambleja të ketë dhënë opinionin e tij statutor, çdo vendim përfundimtar mbi aplikacionin e Kosovës* për anëtarësim merret nga Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës”- tha Macdonald për KALLXO.com, duke iu referuar Kosovës me fusnotën e cila i është vënë Kosovës me anë të një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë në Bruksel, për të mundësuar përfaqësimin në konferenca e nisma rajonale, por edhe ato të nivelit më të gjerë ndërkombëtar.

Kryeministri Kurti pasi dha lajmin që i ka kërkuar Agencisë Kadastrale të Kosovës të nisë zbatimin e aktgykimit të Kushtetueses, e arsyetoi këtë veprim duke thënë që ky ishte kushti kryesor për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës.

“E provuam me datën 5 mars për herë të fundit që ta shtyjmë miratimin e opinionit për anëtarësim në Komitetin në fjalë, por pa sukses. U bindëm që duhet të zgjedhim njërin opsion, nuk ka një zgjidhje të tretë”- tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha që si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk i pëlqen ky vendim siç e quan ai të çuditshëm e tëpadrejtë.

 “Ndërkohë ka edhe procese tjera gjyqësore pezull për këtë çështje, teksa ne si Qeveri nuk kemi më mjete legale e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”- tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti tha që Qeverisë i është bërë e qartë nga Komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it, që ne duhet të zgjedhim ndërmjet dy opsioneve: të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në KiE këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.

Në vitin 2023, ekspertët e pavarur të Këshillit të Europës konfirmuan se legjislacioni i Kosovës përputhet me standardet e Këshillit të Europës për sundimin e ligjit.

Në raportin vlerësues, ekspertët, të cilët janë angazhuar nga Asambleja e Këshillit të Europës për të vlerësuar se a ka përputhje kuadri ligjor i Kosovës me standardet e Këshillit të Europës, kërkojnë nga autoritetet të zbatojnë “pa vonesë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastrit të Deçanit”.

Raporti i ekspertëve është pjesë e analizave që do të vlerësohen nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës para se kërkesa e Kosovës për anëtarësim të hidhet në votim.

Që tetë vite nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht nga 19.05.2016 qeveritë të Kosovës nuk e kishin zbatuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke u shndërruar në një kritikë të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.

Në prill të vitit 2023, pas një mbledhje të jashtëzakonshme, Komiteti Ministror vendosi që ta dërgojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Këshilli i Europës i ka 46 anëtarë, nga 47 që i kishte para përjashtimit të Rusisë dhe pranimi në të bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Zyrtarisht procesi i vlerësimit  të aplikacionit të Kosovës nga ana e Komitetit Ministror të Këshillit të Europës nisi në po të njëjtin muaj të vitit 2023.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.

Dy sfidat kryesore të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës