Manastiri i Deçanit, foto/REL

Vendimi për Manastirin e Deçanit: Lidhja e Historianëve të Deçanit kërkon dorëheqjen e kryeministrit Kurti

Lidhja e Historianëve në Deçan përmes një deklarate për publikun ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pasi sipas tyre, urdhri që kishte dhënë për Agjencinë Kadastrale të Kosovës për pronat rreth Manastirit të Deçanit, janë sulmi me i madh juridik që i është bërë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Sipas tye, Kosova është rasti i parë në Europë i cili i “zbaton ligjet e ish-vendit kolonial, Serbisë dhe që i njeh si të aplikueshme e të zbatueshme ligjet e ish-pushtetit sundues”.

“Marrë për bazë që zbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses për Deçanin, është sulm me i madh juridik kundër rendit kushtetuese të Republikës sonë dhe që tashmë është e ditur se ky akt gjykim bazën e ka në akt dhuratat dhe ligjet e kohës së Millosheviqit, e kjo e fundit e potencuar edhe disa herë nga kryeministri z.Kurti, vlerësojmë se është pjekur koha dhe është momenti që z.Albin Kurti të jap dorëheqje nga drejtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës”- thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas tyre, kryeministri Kurti shkeli mbi fjalën e tij të dhënë, e të proklamuar qe mbi dy dekada.

“E rikujtojmë se ai për ditë të tëra e ka bllokuar e rrethuar Komunën e Deçanit me të vetmin qëllim që të kundërshtonte pretendimet e kreut të Manastirit të Deçanit karshi Deçanit dhe pronave publike si dhe në kohën e tij dhe nga ai vet u lejua zbatimi i vendimeve të Millosheviçit në Kosovë”- potencohet tutje në deklaratë.

“Kemi shpresuar që z.Kurti si kryeministër nuk do të lëshon pe sa i takon pronave në Deçan, por doli e kundërta dhe ai madje pranoj që të zbatohen vendimet e Millosheviçit në Kosovë dhe këtë e urdhëroj me nënshkrimin e tij”- thuhet tutje nga historiaët.

Sipas tyre, sulm ndaj Kosovës për këtë vendim bënë edhe institucionet tjera që shpien më pas tek nënshkrimi i fundit i kryeministrit.

“Zbatimi në praktik i akt dhuratave dhe ligjeve të kohës së Millosheviqit në Kosovë me urdhrin ekzekutiv të z.Albin Kurti kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është maja e sulmit kushtetues e juridik që bëri fillimisht Gjykata Komunale e Pejës, me pastaj Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e pasuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe e vazhduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në fund e realizuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës”- theksohet tutje në deklaratë.

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ka kërkuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, që sa me parë dhe me një procedurë të përshpejtuar të miratojë një ligj të veçantë apo ligj special me të cilin do t’i shpallë të pavlefshëm të gjitha ligjet, vendimet, akt-faljet dhe aktet nënligjore që i ka marrë regjimi i Millosheviqit për Kosovën e sidomos për pronat e kishave dhe manastireve që janë ndërtuar në Kosovë gjatë periudhës 1989-1999.

“Është koha e fundit, madje e fundit që të miratohet një ligj i tillë, pasi që rasti i pronave në Deçan është precedent i rrezikshëm për Kosovën dhe madje do të shërbejë si precedent i rrezikshëm i cili do të hapë probleme të pariparueshme për Kosovën dhe rendin tonë kushtetues e juridik”- deklarojnë historianët në Deçan.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 13.03.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të ekzekutohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese 8 vjet më parë në lidhje me 24 hektarë tokë që iu dhuruan Manastirit të Deçanit mbi dy dekada më parë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo do t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Kosovës i duhen ⅔ e votave të 46 vendeve të Këshillit të Europës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Në mesin e shteteve që do vendosin për fatin e Kosovës janë edhe Serbia, Ukraina, Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldavia e Greqia, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17.02.2008.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949. Në vitin 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, KiE përjashtoi Rusinë, duke mbetur kështu 46 shtete.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12.05.2022.

Problematika e kësaj tokës nisi në vitin 1946, kur Manastirit i Deçanit u shpronësua nga disa ngastra toke.

27 vjet më parë, Qeveria serbe me Sllobodan Millosheviqin në krye, lidhi një marrëveshje me Manastirin e Deçanit me të cilën këtij manastiri i fali 24 hektarë tokë.

Ky vendim i vitit 1997 ishte zanafilla e një problematike e cila ende sot nuk është shuar.

Toka në fjalë, atë kohë kishte qenë në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore “APIKO” dhe “Iliria”, njëra hotel e tjetra fabrikë e mjaltit.

27 vjet procedura gjyqësore për 24 hektarë tokë në çështjen e Manastirit të Deçanit