Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti: Kemi kërkuar nga Agjencia Kadastrale të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Evropës”- tha Kurti në mbledhjen e qeverisë më 13.03.2024.

Kurti tha se vendimi i Kushtetueses është i çuditshëm dhe i padrejtë.

“Si kryeministër, nuk na pëlqen ai vendim i çuditshëm e i padrejtë. Nuk do e ndryshoj qëndrimin ndaj këtij vendimi të dëmshëm asnjëherë, në anën tjetër nuk ka dyshim që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për Republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane që mundëson anëtarësimin në NATO dhe BE për Kosovën e pavarur”- tha kreu i qeverisë.

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë.

Kurti tha se për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Europës kërkohet zbatimi i Kushtetueses për pronat e manastirit.

“Një raport i juristëve eminentë, dokument zyrtar ky i Këshillit të Europës, ka konstatuar që Kosova është një shtet me kuadër të qëndrueshëm të institucioneve demokratike. Raporti i ka listuar disa kushte ndër te cilat ka qenë edhe zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për manastirin e Deçanit, të vitit 2016. Raporti është publik dhe mbetet një dokument që nuk mund të ndryshohet apo përjashtohet nga rruga jonë për në Këshillin e Europës. Do të mbetej aty si listë kushtesh sot, pas një viti, pas 10 vitesh.”

“Na është thënë që ne duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje me qëllim anëtarësimin në Këshill të Europës këtë vit, apo hejqjen e cështjes së Kosoëvs nga agjenda e anëtarësimit dhe rrjedhimisht hejqne dorë nga një qëllim demokratik e shtet ndërtues të Republikës sonë”- tha Kurti.

“Me 22 mars është mbledhja e jashtëzakonshme e Komitetit atje, kah mesi i prillit është Asambleja Parlamentare e KiE dhe në fund të majit është Këshilli i Ministrave në KiE që vendos për anëtarësimin tonë”- shroi kryeministri lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Këtë vit bëhen dy vjet që kur Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Kjo organizatë luan rol të rëndësishëm në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian duke mbështetur vendet e interesuara në kryerjen e reformave në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës, për aq sa këto reforma janë të nevojshme për mbylljen e zgjerimit.