Zyrtare: Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës (VIDEO)

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Gërvalla këtë e ka bërë të ditur përmes një adresimi në Facebook.

“Sapo dolëm nga takimi me zëvendës sekretarin e përgjithshëm të KE dhe në emër të Kosovës propozuam kërkesën për anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror”, tha Gërvalla.

Ajo u shpreh e bindur se aplikacioni i Kosovës do të pranohet.

“Kosova është vendi më demokratik në rajon, më pro-evropian më optimist në rajon prandaj Kosova e meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Dhe kjo procedurë do të përfundojë më anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe me këtë të forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca evropiane”, tha më tej Gërvalla.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin e Kosovës në organizatën ndërkombëtare Këshilli i Evropës.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëminë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj.