Vendimi për tokën rreth Manastirit të Deçanit, reagon shefi i Misionit të OSBE-së

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për tokën rreth Manastirit të Deçanit.

Davenport ka thënë se me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit

“E përshëndes vendimin e sotëm të Qeverisë që udhëzon Agjencinë Kadastrale të zbatojë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 duke regjistruar 24 hektarë tokë në pronësi të Manastirit të Deçanit, siç kërkohet. Me zbatimin e këtij vendimi ruhet respektimi i sundimit të ligjit”- ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Europës”- tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë më 13.03.2024.

Kurti: Kemi kërkuar nga Agjencia Kadastrale të zbatojë vendimin për Manastirin e Deçanit

Më 19.05.2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte vendosur që Manastirit të Deçanit t’i ktheheshin 24 hektarë tokë.